Të dielën, një grup aktivistësh nga Durrësi kanë ndërmarrë një aksion “street art” me qëllim denoncimin e ndërtimeve pa kriter dhe betonizimin e qytetit.

Ata ngjitën përgjatë zonës bregdetare imazhe që përmbajnë makineri të tonazhit të rëndë të cilat shkarkojnë beton mbi monumentet kulturore dhe sitet arkeologjike të Durrësit.

Në posterin e parë paraqitet monumenti i heroit të popullit, Mujo Ulqinakut, teksa i hidhet sasi e madhe betoni.  Projekti “Veliera” i miratuar konsiston në ndërtimin e një sheshi publik me një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, pikërisht në hapësirën ky ndodhej monumenti i Mujo Ulqinakut. Në vitin 2017, monumenti i tij është hequr, bashkë me shumë monumente të tjerë për t’i hapur rrugë ndërtimit të sheshit.

Posteri i Mujo Ulqinakut

Torra Veneciane ishte një nga posterat e ngjitur përgjatë bregdetit ditën e diel. Ky objekt është ndërtuar para pushtimin otoman dhe ndodhet pranë hyrjes së portit të Durrësit. Në vitin 2007, teksa kryheshin punimet për projektin “Veliera”, janë gjetur objekte që datojnë që nga koha e Ilirëve dhe më tej. Kjo situatë çoi në pezullimin e punimeve, punime të cilat tashmë janë rihapur por nën mbikëqyrjen e arkeologëve.

Posteri i Torrës Veneciane

Imazhi i tretë paraqet kompleksin monumental “Gladiatorët” e krijuar nga skulptori Janaq Paço në vitin 1974. Ky kompleks, deri në vitin 2009 është ruajtur në Muzeun Arkeologjik Durrës, ndërsa tashmë ndodhet afër zonës së Vollgës. “Gladiatorët” është vandalizuar disa herë dhe është restauruar.

Posteri i kompleksit monumental “Gladiatorët”

Në aksionin e ndërmarrë është përfshirë edhe Monumenti i Rezistencës, i cili paraqitet njësoj si objektet e tjera, i zhytur nën beton.

Posteri i Monumentit të Rezistencës

Qyteti historik i Durrësit, edhe në sajë të pozitës së saj gjeografike, ka qenë një qytetet tejet i rëndësishëm. Rreth shekullit VII para erës sonë, ky qytet njihej me emrin Epidamni por më pas ai u quajt Dyrrah. Në shekullin I ai shërbeu si pikë lidhëse mes lindjes dhe perëndimin dhe u ndërtua Amfiteatri me 15-20.000 vende. Në periudhën bizantine janë ndërtuar po ashtu objekte kulturore si Forumi Bizantin apo Mozaiku i Bazilikës. Jo vetëm këto objekte por edhe shumë të tjera, të ndodhura në zonën gjeografike të këtij qyteti, i japin Durrësit një rëndësi të veçantë në aspektin historik dhe kulturor.

Në videot e paraqitura nga Exit.al, keto postera janë hequr pak orë pas aksionit, nga persona të paidentifikuar.