Monumente – Kulla e Imer Imerit, Mitrovice. 

Kulla e Ymer Ymerit gjendet në “Mëhallën e mesme” të fshatit Rahovë, fshat ky që shtrihet në zonën e Shalës së Bajgorës, komuna e Mitrovicës.

– Kulla është ndërtuar në fundin e shek. XIX. Hapësira ku ndodhet kulla ishte një kompleks i përbërë nga tri objekte të tipit kullë, dy me funksion banimi dhe njëra, pra, kjo që sot arriti t’i rezistojë kohës, kishte funksionin e odës së burrave (konak/bujtinë). Sipas të dhënave të marra nga familjarët, kulla/oda e burrave ishte kullë ku mbaheshin kuvendimet e pleqnarëve të fshatit. Kulla ka etazhitet P+1. Kati përdhese ishte i destinuar për strehim të kafshëve ndërsa kati i sipërm i destinuar për miq, pra ishte konak i burrave. Kulla është e ndërtuar nga materiali vendor gurë dhe dru, me teknika tradicionale popullore, nga mjeshtrit vendorë. Materiali i gurit të fortë dhe të butë sigurohej nga Majadani dhe Shavari (gurthyes në afërsi të fshatit), ndërsa konstruksioni i drurit u sigurua nga Zabeli i Skenderajt, pjesë e malit në pronësi të vet pronarit. Në katin e sipërm të kullës, në pjesën juglindore, janë të hapura dy frëngji, qemerët e të cilave janë të punuara me gurë të kuqërremtë, të cilat shtojnë vlerën artistike të pamjes së jashtme. Hapësirat e tjera të dritareve janë të formës katërkëndore të madhësive të ndryshme. Kulla ishte e banuar deri në vitin 1998. Transformimet janë të dukshme kryesisht në mbulesën e kulmit, të kryera nga familjarët, trashëgimtarët. Kulla i përballoi këto luftëra: Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore dhe luftën e viteve 1998/1999.