26 Nentor 2025

Kjo monedhë floriri e vitit 1609, tashmë konsiderohet si monedha më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në Europë.

U shit të hënën në një ankand në Gjenevë për 3.4 milionë dollarë. Monedha ka një peshë prej 339 gramësh dhe është emetuar në Spanjë në kohën e mbretit Filip i Tretë.

Ish-monedha spanjolle Centen u prodhua në Segovia, nga ari i sjellë nga pushtuesit spanjollë që shkuan në Amerikë. Monedha u prodhua si demonstrim i pasurisë dhe pushtetit mbretëror dhe ka vlerën e disa pagave vjetore. Është më e madhja në historinë moderne evropiane, siç tha themeluesi i Numismatica Genevensis, ku u zhvillua ankandi.

E humbur për disa shekuj, ajo u shfaq në Shtetet e Bashkuara në vitet 1950, ku një koleksionist nga Nju Jorku e bleu përpara se t’ia shiste një blerësi spanjoll një dekadë më vonë.

Rekordin e mëparshëm për vlerën e një monedhe europiane e mbante 100 dukatëshi i Perandorit të Perandorisë së Shenjtë Romake, Ferdinand III, me vlerë 2.42 milionë dollarë.