Mobilizimi i ukrainasve në mbrojtje të veprave artistike
Mobilizimi i ukrainasve në mbrojtje të veprave artistike
30 mars 2022
Punonjësit e institucioneve publike dhe vullnetarët po përpiqen të mbrojnë bustet dhe statujat e vendosura para kishave dhe galerive të artit në Kiev, duke i rrethuar ato me thasë rëre dhe dërrasa, raportojnë mediat botërore.
Pas sulmeve ruse në të gjithë Ukrainën, në sheshet e qendrës së qytetit të Kievit nisën aktivitetet për të mbrojtur veprat e artit.
Vitali Misheko është njëri prej atyre që i është bashkuar aksionit tek bart thasë me rërë për t’i vendosur para shtatores së kompozitorit të famshëm ukrainas, Mykola Lysenko, që gjendet para Teatrit të Operës Kombëtare të Ukrainës.
“Po përpiqemi të mbrojmë trashëgiminë historike në qytet nga sulmet ajrore ruse sa më shumë që të jetë e mundur”, ka thënë Miseko.
Ai ka shtuar se ka disa ditë që janë vënë në mbrojtje të shtatores.
Vartan Azatian është punonjës i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Administratën e Qytetit të Kievit. Ai ka thënë se vullnetarët i janë përgjigjur thirrjes në rrjete sociale dhe po përpiqen të mbrojnë trashëgiminë historike të qytetit.
“Vullnetarët në Kiev, aq sa kanë mundësi, po na ndihmojnë. Ata po sjellin thasë me rërë”, ka thënë Azatian. Ka theksuar se janë duke bërë përpjekje të mëdha për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe se kanë nevojë për ndihmë shtesë në këtë drejtim.
Gazeta Koha, Prishtine