Mjeshtër i gdhendjes se drurit ne  Gjirokaster, Anastas Petridhi.

Anastas Petridhi ka mbi 30 vjet që është bërë mjeshtër i gdhendjes në dru, duke realizuar larmi punimesh. Ai e ka nisur këtë zanat që në vitet ’80. Në fillim të viteve ’90 emigroi në Greqi për një jetë më të mirë, ndërkohë që aventura e tij prej gati 3 dekadash përfundoi para pak kohësh, kur Anastasi vendosi të rikthehej në vendlindje. Vendimi i tij për t’u kthyer në Gjirokastër nuk ishte i lehtë për të dhe familjen, por me besim e shpresë të madhe për të rivënë në punë zanatin e tij.

“Përvoja ime në profesionin e gdhendësit të drurit është mbi 30 vjet. Punën e kam filluar me dëshirë e pasion dhe e kam mësuar në ishNdërmarrjen Artistike Shtetërore të Gjirokastrës. Me ndërrimin e sistemeve kam punuar në Greqi. Jam kthyer dhe mendova të hap një biznesin tim në këtë punë artizanale që ju e shihni edhe sot. Këtu është një zonë muzeale, vizitohet pothuajse nga e gjithë bota. Unë mundohem që të plotësoj të gjitha kërkesat dhe dëshirat e tyre edhe në momentin që ata vizitojnë dyqanin, edhe me një shërbim tjetër që quhet pirografi. Bëjmë disa dedikime dhe personifikime në dhuratat që marrin ata sipas dëshirës”, shprehet 55-vjeçari Petridhi.

Pas kthimit në vendlindje, ai vendosi të marrë me qira një dyqan në zonën karakteristike të Gjirokastrës, në Qafën e Pazarit. Aty punon me daltë dhe instrumente të tjera gdhendjeje, i bindur se vizitorët, kryesisht turistët e huaj, do të tërhiqen nga punimet “handmade”, si ndër më të preferuarat e tyre. Ai zgjedh drurin, që është i qëndrueshëm, dhe më pas i jep format e ndryshme, të cilat u bëjnë mjaft përshtypje blerësve vendas e të huaj. Këta të fundit nuk mungojnë gjatë gjithë ditës, teksa kureshtjen që kanë për këto objekte e kulmojnë me blerjen e tyre me çmime të arsyeshme për xhepin e tyre.

“Ky dyqan ka objekte mjaft të bukura të punuara në mënyrë artizanale, karakteristike, që janë origjinale dhe identike, që simbolizojnë Shqipërinë. Vërtet më pëlqejnë”, thotë një turist. “Nuk kam parë më herët diçka të tillë dhe është fantastike. Unë bleva diçka të bukur dhe domethënëse, një palë gërshërë në miniaturë druri, që janë dhuratë për nënën time në Holandë”, shprehet një tjetër. Në dyqanin e Anastasit ekzistojnë mbi 210 objekte të ndryshme të punuara nga dora e tij dhe që janë gati për t’u shitur. Vetë ai është i kënaqur me biznesin e çelur në Gjirokastër dhe shpreson në lehtësirat fiskale që qeveria lokale ka premtuar për këtë kategori biznesi në zonën historike.

Nga: PIRO NASE