Mishi i Brazilit që bllokoi Evropa do “ushqejë” shqiptarët edhe pas 3 shtatorit. Skema se si po mbushen magazinat

4 Shtator 2026
Nga Alketa Çeku
Pas datës 3 shtator, Shqipëria ndaloi zyrtarisht importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili.
Ky vendim u mor pasi Bashkimi Evropian i mbylli dyert mishit brazilian, për shkak të përdorimit pa kontroll të antibiotikëve,që shërbejnë si nxitës t’u shtuar kafshëve masën muskulare.
Megjithatë, ky mish do të vazhdojë të hyjë në Shqipëri dhe të konsumohet gjerësisht edhe disa muaj pas datës 3 shtator.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka sqaruar zyrtarisht për “Ora News” procedurën e tranzicionit:
“Ngarkesat për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është lëshuar përpara datës 03 Shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 03 Shtator 2026.”
Për ta shpjeguar më thjeshtë: kriteri i bllokimit nuk është dita kur mishi hyn në Shqipëri, por data kur është vulosur letra në Brazil. Doganat tona do t’i hapin dyert ligjërisht çdo ngarkese me mish nga Brazili, vetëm sepse dokumenti i nisjes mban një datë para 3 shtatorit. Ky mish do të shitet dhe do të konsumohet pa asnjë pengesë në tavolinat e shqiptarëve përgjatë muajve tetor, nëntor e në vazhdim.
Pikëpyetje të mëdha ngre edhe fakti që teksa rregullorja e BE për ndalimin e importit të mishit brazilian është publikuar zyrtarisht më 4 Qershor 2026, Ministria e Bujqësisë e mbajti këtë urdhër në sirtar dhe e publikoi me 2 muaj vonesë.
Burime për Ora News bëjnë me dije se importuesit kanë dyfishuar porositë nga Brazili gjatë muajve të fundit për të sjellë sa më shumë mish përpara se bllokimi të hynte ne fuqi.
Bllokimi i 3 shtatorit nuk është fundi i mishit të Brazilit në Shqipëri. Ai është fillimi i një faze ku konsumatorët do të ushqehen me stokun e mishit që bisneset nxituan ta certifikonin përpara se data në kalendar të shënonte 3 shtator. Tonelata mish nga Brazili pritet të vijne në Shqipëri përgjatë vjeshtës dhe dimrit.
