Më shumë se 10 mjekë shqiptarë në kufirin polak, për të ndihmuar ukrainasit. – Aparate mjekësore, veshje dhe para.

1 PRILL 2022

Mjekët shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj luftës në Ukrainë.

Më shumë se 10 mjekë, pjesë e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, kanë shkuar vullnetarisht në kufirin polak, për të ndihmuar të dëmtuarit e luftës.

Themeluesja dhe drejtuesja e Federatës, Aurora Dollenberg, ka treguar për se viktimat e pafajshme dhe vështirësia e stafeve mjekësore, kanë nxitur mjekët që të ndihmojnë me çfarë munden për këtë situatë.

Dollemberg, e cila është gjtihashtu iniciatorja e kësaj nisme, ka treguar shembullin e mjekut internist Gani Zeka, i cili jeton në Poloni dhe ka vendosur që të dërgojë në Ukrainë një aparat si laparposkopie.

Një aparat mjekësor ky, që është shumë i nevojshëm për të bërë operacionet e urgjencës te të plagosurit e luftës.

Më tej Dollemberg shton se, me anë të Federatës, mjekët janë organizuar dhe kanë ofruar donacionet e tyre në forma të ndryshme si para, veshje, ushqime dhe aparate mjekësore.

“Edhe stafet mjekësore atje janë pa mbështetje dhe në vështirësi”, përcakton mjekja.

Sipas Dollenberg, mjekët që janë prezentë në kufi kanë kuptuar nga personat që kanë hasur se Ukraina është në një krizë humanitare, me mungesë të aparateve mjekësore dhe mjeteve të ndihmës së shpejtë, që atje janë të nevojshme në çdo rast.

“Ne kemi vendosur si bord ndërkombëtar i federatës që të mbledhim fonde nga të gjitha filialet e federatës në 25 vende të Bashkimit Europian. Mjekët e Federatës janë të gatshëm në çdo moment, që të shërbejnë për më shumë se dy javë në mënyrë vullnetare në kampet, ku ndër ndihmat thelbësore mbetet edhe ajo psikologjike”, shton Dollenberg.

Gazeta Shqip