Me mospjesëmarrjen në Ohër, Kosova u vetëmbrojt, nuk u “vetëpërjashtua”.

më 11-11-2019

Nga Prof. Lisen Bashkurti

Nisma e Shengenit Ballkaik është pritur me shumë shqetësim sidomos në Kosovë dhe, për konseguencë, në të gjithë shqiptarët në Ballkan, Evropë dhe ShBA. Sinjalet e kundërshtimit janë bërë të forta dhe publike. Kjo nismë është ideuar dhe lancuar pa konsideruar aspak realitetin politik të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, që ka strategjinë e prioritetet e saj, që ka interesat e veta, ka institucionet e saj përfaqësuese politikë-bërëse dhe vendim-marrëse dhe pa dyshim edhe lidershipin e vet përfaqësues kombëtar dhe ndërkombëtar.

Shigjetimet e Kosovës, politikës, medias dhe opinionit publik të saj drejtohen kryesisht kundër Qeverisë Rama. Anashkalimi i Kosovës, mos konsultimi paraprak me të, bërja e qëndrimeve zyrtare ‘fact accompli’ janë të papranueshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në kohën tonë. Kur ky anakalim, ose më drejtpërdrejtë ky injorim i Shtetit të Kosovës vjen nga Qeveria Rama, kjo përbën një shkelje të rëndë të marrëdhënieve startegjike Shqipëri-Kosovë, një dëmtim serioz të raporteve speciale Tiranë-Prishtinë, një cënim të balancave shumë delikate Ballkanike në proceset e nisura për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar, një përpjekje për t’u imponuar brutalisht mbi politikat shtetërore të aplikuara nga Kosova ndaj Serbisë për reciprocitet.

Deklarata se ‘Kosova e vetëpërjashtua’ ose ‘u vetëizolua’, e bërë në Ohër nga Kryeministri Rama është padyshim e pavërtetë, e paarsyeshme dhe padobishme për Kosovën për marrëdhëniet speciale Shqipëri-Kosovë, për Ballkanin dhe mbarë Evropën. Ajo është një deklaratë që tenton fare pa sukses të arsyetojë diplomacinë konspirative të liderëve Tiranë-Shkup-Beograd dhe fijeve të errta nga disa kryeqytete e fondacione ndërkombëtare, për të izoluar dhe përbaltur Kosovën dhe për të ndërkombëtarizuar dhe lartësuar Beogradin.

Kosova nuk u vetëizolua, por u vetëmbrojt. Dhe bëri shumë mirë. Shumë drejt. Shumë saktë. Bëri të vetmen gjë që duhej dhe mund të bënte. Kosova ka një problem madhor. Ky është njohja e pavarësisë, tërësisë territoriale dhe sovranitetit të saj nga Serbia.

Kosova nuk mund dhe nuk duhet të marrë pjesë në asnjë iniciativë integruese politke Rajonale ku bën pjesë Serbia, pa normalizuar më parë marrëdhëniet me të, pa u njohur si shtet i pavarur, Sovran dhe me integritet territorial të pacënueshëm nga Serbia. Cdo pjesëmarrje e Kosovës në procese integruese Ballkanike ku bën pjesë edhe Serbia, sic është edhe nisma e Shengenit Ballkanik, e kthen Kosovën në statusin e përpara 1999, e bën përsëri provincë administrative të Republikës së Serbisë, pra e ri-vendos Kosovën nën kuadër të Kushtetutës Serbe.

Në statusin aktual Kosovë-Serbi, Kosova nuk mund të veprojë kurrëqysh si subjekt i pavarur i të drejtës ndërkombëtare dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, përsa kohë Serbia nuk e njeh si të tillë. Asnjë shtet, përfshi edhe Shqipërinë, nuk mund të garantojë statusin e Kosovës në raport me Serbinë, përsa kohë kjo e fundit nuk e njeh. Madje, as Bashkimi Evropian dhe as ShBA, nuk po arrijnë të zgjidhin këtë ngërc shumë vjecar Kosovë-Serbi. Ndërkohë, Serbia, me tërë fuqinë e saj shtetërore, politike dhe diplomatike po tenton dukshëm për rikthimin prapa të proceseve të Kosovës. Vetëm të verbërit ose të shiturit nuk e shohin këtë.