Mblidhet Komisioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë, planifikim i veprimtarive të vitit 2026

Screenshot
10 Janar 2026
Në këtë mbledhje akad. Anila Hoda dhe akad. Gëzim Hoxha dhanë dhe orientimet përkatëse për përgatitjen sa më të mirë të draft-projekteve të veprimtarive për vitin 2026.
Aktiviteti përgjatë vitit 2025 dhe projektet përgjatë këtij viti ishte në qendër të takimit që mblodhi këto ditë janari gjuhëtarët. Në fokus të diskutimeve ishin kërkimet shkencore në fushat e gjuhësisë, mësimdhënia e gjuhës në shkolla apo dhe organizimi i veprimtarive përkujtimore dhe jubilare për personalitete me kontribute të spikatura në albanologji dhe gjuhësi. Mbledhja e Komisionit të përhershëm të Gjuhësisë dhe të Letërsisë u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në datën 8 janar me pjesëmarrjen e sekretares shkencore të ASHSH-së, akad. Anila Hoda; kryetarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha, si dhe anëtarëve të komisionit dhe grupit të punës.
Prof. dr. Anila Omari, kryetare e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë paraqiti një raport mbi aktivitetin e Komisionit për vitin 2025. Më pas, diskutimet u përqendruan në planifikimin e veprimtarive për vitin 2026. “U propozuan që të mbahen konferenca, tryeza shkencore apo ligjërata lidhur me nevojat për: kërkime shkencore në disa fusha të gjuhësisë si morfologjia dhe drejtshkrimi i shqipes; hartimin e platformave për kujdesin dhe kulturën e gjuhës; trajtimin e çështjeve terminologjike gjuhësore në bashkëpunim me disa komisione, si ai i drejtësisë, i matematikës dhe informatikës e më gjerë, si dhe problemet e mësimdhënies së gjuhës në shkolla. Gjithashtu, u propozua dhe u diskutua organizimi i veprimtarive shkencore përkujtimore dhe jubilare për të nxjerrë në dritë personalitete me vepra dhe kontribute të spikatura në fushat e gjuhësisë dhe albanologjisë”, thuhet në njoftimin e ASH-së.
