Mazhoranca refuzoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, PD e çon në Gjykatën Kushtetuese

13 Nentor 2025
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë, ku kundërshton refuzimin nga mazhoranca të ngritjes së dy komisioneve hetimore parlamentare.
Në kërkesën e depozituar zyrtarisht, deputetët e opozitës kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të detyrojë Kuvendin për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore të propozuara nga opozita atë për McGonigal dhe për zgjedhjet e 11 majit.
Në argumentimin e saj, opozita thekson se rrëzimi nga mazhoranca me votë politike i kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore përbën cenim të drejtpërdrejtë të një të drejte kushtetuese që i takon pakicës parlamentare.
Sipas grupit parlamentar të PD-së, “ky veprim i mazhorancës e bën rolin e deputetëve të opozitës në Kuvend jo vetëm të papërfillshëm, por e shndërron atë në një fasadë të një normaliteti të rremë që vret çdo ditë rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik”.
Në njoftim theksohet gjithashtu se kjo situatë “ka vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën e prezencës së opozitës në Kuvend dhe dëmton interesin publik, pasi deputetët nuk mund të ushtrojnë dot përgjegjësitë dhe funksionet e tyre kushtetuese”.
“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që pretendon antarësimin në Bashkimin Europian, që cenon rregullat minimale të bashkëjetesës demokratike brenda Kuvendit, ku mazhoranca ka rolin e saj dhe opozita përgjegjësitë e saj, nuk mund të jetë asgjë më shumë se një propagandë e papërgjegjshme për një normalitet të rremë demokratik. Këtë realitet të rremë mund dhe duhet ta korrigjojë sistemi i garancive kushtetuese institucionale – ku rolin kyc e ka Gjykata Kushtetuese.” theksohet në kërkesë.
