“Maska bëhet e detyrueshme kudo”, LSI zbulon se çfarë fshihet pas vendimit surprizë të Ramës

10 Tetor 2020

Ish-deputeti Petrit Vasili, ka reaguar kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama për të bërë përdorimin e maskës të detyrueshëm dhe për vendosjen e gjobave në rast shkeljeje të këtij rregulli.

Vasili tha se Rama në vend që të ofrojë zgjidhje po shantazhon qytetarët me gjoba.

“Edi Rama propozoi gjoba të reja dhe maska në vend të zgjidhjes dhe administrimit korrekt të pandemisë, një pandemi që ka dalë nga duart për shkak se ai fut hundët si i paditur dhe i paaftë që është. Në vend që t’u ofronte shqiptarëve mijëra testime më shumë u ofroi maska.

Si mund të flasë ky për maska? Është një maskarallëk publik! Papritur ditën e shtunë në mëngjes ngrihet i shqetësuar dhe flet për maska kryeepidemiologu Edi Rama. Me një maskë do ta bëjë popullin zap ky? Ky që flet pa maskë në krah të një ministreje që bën sikur mban maskë. Inteligjenca e Edi Ramës lëviz nga maska te gjoba.

Sot në mënyrë të pacipë u tregua se do t’i japin ndihmë financiare atyre që punojnë në spitalet Covid, po mijëra në shërbimin ambulator, kush i mbron, kush i subvencionon? Armata me të cilën fitohet lufta është jashtë dore. Asnjë lek nuk ka për ta mbështetje financiare. Si ka mundësi një pandemi që shtrihet në gjithë territorin është në dorë të Zotit?!” shprehet Vasili.

Gazeta Sot