Marrëveshje e minutës së fundit? Soreca shpreson te “koha e mbetur”. –

10 maji 2019.

Ndërsa nga palët politike në Shqipëri nuk ka asnjë sinjal që do të zhbllokonte krizën në vend, ambasadori i BE-së Luigi Soreca, i ftuar në Ora News shpreson në një reflektim të palëve pasi koha po përfundon.

Soreca kujton se së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, ndaj koha e shkurtër që mbetet shpreson të shfrytëzohet më së miri.

Në të kundërt uron për një fushatë zgjedhore të paqme dhe që të ketë zgjedhje. Ambasadori apelon të gjitha partitë politike të mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre.

Fundi i kësaj jave është një afat i rëndësishëm kohor për platformën nga opozita, për prezantimin e saj. Ju e dini që nesër do të ketë një protestë të organizuar nga partitë e opozitës. Koha po përfundon.

Së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, kështu që koha e mbetur është shumë e shkurtër. Unë shpresoj që ajo do të përdoret, në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje. Natyrisht që aktorët politik në Shqipëri do të duhet të përballen me të dyja palët.

Pra përgjegjësia e zgjedhjeve, të cilat nuk janë të mira nga këndvështrimi politik, pasi siç e thashë zgjedhje të mira janë ato në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra të mund të zgjedhin. Ne do të vazhdojmë në këto ditë, në këto orë që të ftojmë të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëjmë diskutime dhe bashkëbisedime me të gjitha palët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në minutën e fundit“, tha Luigi Soreca.

Nga Gazeta Dita.