Mark Tirta: – Akademia e Shkencave, bashkë me specialistët e universiteteve, duhet t’i ndalojë sa më parë këto batërdi, në mësimdhënie.

Për studiuesit e etnologjisë, folklorit dhe antropologjisë kulturore

5 shkurt  2020

Dr. Prof. Akad. Mark Tirta

Etnokultura shqiptare në universitetet në Shqipëri është nënvlerësuar së tepërmi në lëndë të caktuara si në etnologji, në folklor, në antropologji kulturore e me radhë. Këto degë të etnokulturës bëhen shumë dobët e nga njerëz jo të specialitetit përkatës e me formim jashtë lëndës që e japin.

Në universitetet në Shqipëri, në asnjë rast nuk vërehen degë të veçanta të kualifikimit në etnologji, në folklor, në antropologji kulturore. Po atëherë si specializohen pedagogët për t’u bërë etnologë, folkloristë apo specialistë të antropologjisë kulturore. Këto lëndë jepen nga pedagogë që nuk janë, sipas fushës, as etnologë, as folkloristë e as antropologë. Mjafton të ketë mbaruar për histori dhe bën punën e etnologut. Ata të veçantë, që kanë mbaruar për gjuhë-letërsi, japin si pedagogë lëndët e folklorit.

Këto fusha të dijes, që u përmendën, kanë veçoritë e tyre, sipas tematikave të veçanta, sipas krahinave, sipas përkatësisë etnike. Të tëra kanë historinë e tyre në ndryshimësi të vazhdueshme të rrugëtimit ndër shekuj, pasqyrojnë veçoritë etnike të kombit, po dhe marrje e dhënie me popujt e tjerë. Pa ndihmën e etnokulturës as historia etnike e çdo populli nuk mund të shpjegohet si duhet në thellësi e në gjithëpërfshirje. Shumë “pse” të errëta në histori i sqarojnë faktet e etnokulturës, dukuritë e zbërthyera nga shkenca e etnologjisë, e folklorit, e antropologjisë kulturore.

Studiues të huaj, me përgatitje shkencore të një shkalle të lartë, në shkrimet e tyre e vlerësojnë shumë lart etnokulturën shqiptare e rolin e saj në qëndresën e në zhvillimin e etnisë shqiptare në shekuj. Sipas tyre, kjo etnokulturë e ka mbajtur këtë popull pa u shpërbërë; e ka bërë të ecë përpara, bashkë me gjuhën shqipe. Disa prej tyre thonë se “ligji popullor arbëror” (Kanuni) e ka mbajtur të organizuar këtë popull ndër shekuj: në lidhjet shoqërore e ekonomike, në vlerësimin e përkatësisë etnike, në lidhjet etnosociale e psikologjike si një bashkësi etnike e pathyeshme. Me këtë ligj popullor janë organizuar në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm. Ata theksojnë, në të tjera, se pa këtë ligj popullor që i ka rrënjët e dukshme që nga Iliria e Vonë a nga Mesjeta e Hershme, nuk do të mbijetonin. Pra, kjo etnokulturë, ky ligj popullor, janë shfaqje me rëndësi në veçoritë e ndryshimësive ndër shekuj të historisë. Etnokultura është një sqaruese e fuqishme e historisë sonë kombëtare. Duhet vënë në dukje se edhe veçoritë e etnokulturës në ndryshimësi, sqarohen nga të dhëna e teori të historisë.

Unë (Mark Tirta) kam qenë në veprimtari shkencore – kulturore, kryesisht të etnokulturës, e kudo në universitete, në shtete të Ballkanit, të Europës, në Kanada, kam vërejtur degë të veçanta të studimit të etnologjisë, të folklorit, të antropologjisë kulturore. Natyrisht, në ato vende ku janë bërë këto konferenca pranë Universiteteve, po dhe në eksplorime të miat në vende të ndryshme ku ishin të dukshme këto departamente, degë studimi ose katedra, i kam vërejtur me shumë vëmendje. Të sqarojmë se jo kudo kam qenë në katedra të etnokulturës në universitete të vendeve të përmendura. Pra ka dhe vende me dukuri të panjohura nga unë.

Në vende të ndryshme të botës, në universitete, kudo ka degë të veçanta të kualifikimit të veçantë, special, për etnologji, folklor, antropologji kulturore, vetëm në Shqipëri nuk ka të tilla, shtyrë nga mendimi se këto specialitete i bëka historia a letërsia.

Problemin e kualifikimit në këtë lëndë të etnokulturës e kam ngritur disa herë në shtyp e në veprimtari shkencore – kulturore, por këto fjalë kanë fluturuar në errësirë, në mjegullnaja e janë zhdukur.

Në manuale të ndryshme metodike të kërkimit shkencor, në shtete shumë të zhvilluara të botës, jepet me shumë qartësi përgatitja shkencore në këto degëzime të etnokulturës (etnologji, folklor, antropologji kulturore). Për këto kualifikime flasin dhe jo pak dijetarë të mëdhenj të këtyre kodeve të dijes. Çdo njëra nga këto fusha të dijes ka historinë e saj, ka problematikat e saj. Bëhen krahasime me popujt e tjerë. Kur studion etnologjinë shqiptare apo folklorin a antropologjinë kulturore, doemos që duhet të kesh njohuri të thellë për këto fusha në popujt e Ballkanit, në popujt e Mesdheut, po dhe në popuj të ndryshëm të botës, në kohë të hershme, po dhe sot ku këto dukuri etnokulturore kanë ardhur me ndryshimësi të mëdha. E veçanta shpjegohet si duhet kur i di në thellësi dhe dukuritë e përgjithshme, dëshmuar në popuj të ndryshëm e në kohë të ndryshme.

Në vende të ndryshme të botës në universitet nuk mund të jetë pedagog një njeri që nuk është specializuar në këtë degë, nuk është studiues me botime në fushën përkatëse, madje në etnologji, në folklor duhet të ketë bërë studime me eksplorime terreni në vende për të cilat flitet. Ky problem shtrohet gjerësisht në manuale metodike të kërkimit shkencor.

Prof. Mark Tirta

Claude Lévi-Straus, një figurë botërore e studimit shkencor në antropologji kulturore ku përfshihet dhe etnologjia (C.L.-St. Lindi në Bruksel më 28.11.1908 e vdiq në Harvard – SHBA më 04.11.2009) e shfaq me të madhe në veprat e tij shkencore doemosdoshmërinë e kualifikimit shkencor e të studimeve shkencore për t’u bërë pedagog në etnologji, në folklor, në antropologji kulturore. Ai thekson se studiues në fushat e përmendura duhet të dëshmohet me një grup studimesh shkencore të botuara në shtypin shkencor që shkojnë në vlerat e një monografie ose të ketë bërë e botuar një monografi me eksplorime terreni në fshatra, në male, ndryshe as asistent i pedagogut nuk mund të jetë. Pra duhet të jetë i kualifikuar, studiues me peshë e me eksplorime në këto fusha e mandej mund të vihet në detyrën e pedagogut.

Në Shqipëri i japin këto lëndë njerëz që nuk janë as etnologë, as folkloristë e as antropologë. Disa plagjiaturistë pa qenë specialistë të këtyre fushave, me disa libra të kopjuar nga të tjerët e që këtyre ua ka botuar SHBLU, japin mësim në fakultet. Këto duhen ndaluar si mësimdhënës. Me këto veprime antishkencore dëmtohet së tepërmi formimi shkencor i studentëve në universitete, apo në kualifikim pasuniversitar.

Akademia e Shkencave, bashkë me specialistët e universiteteve, duhet t’i ndalojë sa më parë këto batërdi, në mësimdhënie. Duhet hartuar një kod i veçantë për specializimin e të rinjve për t’u bërë pedagogë në këto degëzime të diturisë universitare, po dhe pasuniversitare. Pa këtë detyrim në formimin shkencor të studentëve, mandej dhe të kuadrove të reja në kualifikim të thelluar, dituria në këto fusha bie në greminë. Me këto forma ogurzeza, të trashëguara nga e kaluara, ne shkojmë mbrapsht e jo përpara. E do koha t’i bëjmë këto ndryshime, me ndërgjegjësim dhe të specialistëve në universitete, po këtu një rol të veçantë duhet ta luajnë drejtuesit e departamenteve të shkencave shoqërore. Në këtë vështrim duhet punuar shumë në kualifikimin e tyre pasuniversitar, po dhe në marrje të gradave e titujve shkencorë. Lëndëve të ndryshme të etnokulturës u duhet kushtuar vlerësimi i duhur, në të veçantat dhe në të përgjithshmen e tyre.

Gazeta Dita