14 Shtator 2025

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të diskutojë gjatë vizitës së tij në Izrael mbi mundësinë e një aneksimi të pjesshëm të Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit.

Sipas raportimit të Axios, i cili citon burime nga qeveria izraelite dhe ajo amerikane, ky hap po konsiderohet si një reagim ndaj paralajmërimeve të disa shteteve perëndimore që pritet të njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fund të këtij muaji.

Sipas një zyrtari izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu synon të kuptojë gjatë takimit me Rubio nëse presidenti Donald Trump, do të mbështesë këtë aneksim të njëanshëm, pavarësisht rreziqeve politike dhe diplomatike që ai sjell.

Një ndër këto rreziqe është shkatërrimi i Marrëveshjeve të Abrahamit, që mund të ndodhë nëse Emiratet e Bashkuara Arabe, tashmë të shqetësuara, vendosin të tërhiqen nga marrëveshjet normalizuese me Izraelin.