Olimpi Greqi

22 Korrik 2026

Mali Olimp, maja më e lartë e Greqisë dhe simbol i mitologjisë së lashtë, është shumë pranë përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kërkesa e Greqisë do të shqyrtohet gjatë mbledhjes së Komitetit të Trashëgimisë Botërore, e cila zhvillohet nga 19 deri më 29 korrik në Seul.

Autoritetet greke synojnë që Olimpi të njihet si një sit i përzier, duke vlerësuar njëkohësisht rëndësinë e tij natyrore dhe kulturore. Përveçse konsiderohet vendbanimi legjendar i Zeusit dhe perëndive të Greqisë së lashtë, masivi malor shquhet për biodiversitetin e pasur, peizazhet unike dhe trashëgiminë historike që ruan.

Procesi i nominimit nisi në vitin 2014, por ekspertët e UNESCO-s kërkuan dokumentacion shtesë për të argumentuar më mirë vlerat universale të zonës. Mes rekomandimeve ka qenë edhe zgjerimi i dosjes me përfshirjen e sitit arkeologjik të Dionit, që ndodhet në rrëzë të malit, për të forcuar rëndësinë historike dhe kulturore të kandidaturës.

Mali i Olimpit Greqi

Nëse miratohet, Mali Olimp do t’i bashkohet listës së vendeve me vlera të jashtëzakonshme për njerëzimin, duke fituar një status që pritet të rrisë mbrojtjen dhe promovimin e tij në nivel ndërkombëtar.