– Nga: Jaho Brahaj
– Në rrugën e rëndësishme, që lidhte bregdetin me zonat qëndrore të Ballkanit në gryklumin e Gominës, në një vend me gjelbërim e pasuri natyrore, gjysh në shekujt parë të erës së re është vendosur tempulli kristian, për të cilin në shekujt e mesjetës dimë që ishte në shkallën e lartë të abacisë1.
Kjo Abaci në vështrimin religjioz, kulturor dhe ekonomik është e lidhur me institucionet e tjera kishtare dhe me formacionet politiko-shoqërore të kësaj arterie të rëndësishme pararomake e në vazhdim. Shën Pali-Kabash është i lidhur me qytetet e Lezhës dhe Shkodrës nga njëra anë dhe me Prizrenin nga drejtimi tjetër.
Në këtë rrugë të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe ushtarake shtrihen e përfshihen ipeshkvia e Sapës, Abacia e Shën Palit-Kabash dhe në vazhdim Abacia e Shtanës (Shënmëri) dhe ipeshkvia e Prizrenit. Në këtë rrugë kishin selinë familjet fisnike shqiptare: Zahariajt e Danjës, Zezët e Pukës, Kukajt e Kukësit dhe në Prizren në vazhdën e shekujve kanë patur selitë e tyre edhe despot pushtues, por duhet të permendim nga princat shqiptarë, dhe që ky qytet i lashtë ka qenë pronë e Dukagjinëve dhe në kohë të ndryshme e Kastriotëve.
Në vazhdën e zhvillimit kulturor të këtij rrjeti kulturor e tregëtar u zhvillua dhe jeta në Shën Pal-Kabash, për të cilin burimet historike na njoftojnë për shkëlqimin kulturor të shekujve XI-XVI, kohë kur kjo zonë e rëndësishme e njohur si qender shkollore, artistike dhe ekonomike pësoi flashitjen e më vonë shkatërrimin.
Zakonisht abacitë dhe kishat katedrale ishin nën patronazhin e fisnikëve të kohës dhe shërbenin edhe si vatra arsimi dhe dije, gjithnjë sipas kohës. Dimë se afër kësaj Abacije ka qenë familja fisnike e Zezajve e njohur edhe per titujt e perfituara e te njohura nga Europa Perendimore te pakten qe ne shek. XIII.
Edhe relatorët e shekujve XVI-XVII, na e prezantojnë këtë fisnikëri, dhe kjo në tre burime.
a) Kemi abate që nga origjina shoqërore janë të fisnikërisë e krereve vendase: Pal Zezaj dhe Nikoll Lekën. Kjo është sipas traditës së fisnikërisë shqiptare dhe europiane, që pjestarë të këtyre dyerve caktonin bij të tyre për rrugën e klerikut, dhe pastaj këto klerike bij fisnikësh merrnin titujt e lartë të hierrkisë kishtare.
Në vitin 1636 kemi në Pukë një vazhdimësi të tillë, sepse i kërkohet dhe propozohet Romës për të siguruar një vend për nxënës në kolegj, për një bir fisniku vendas.
b) Si vazhdë e shekujve të mesjetës, kemi shtresën e fisnikëve, e cila na përshkruhet edhe me veçanësi dalluese në veshje: “…Mbajnë në mbërdhejcën e grykës së këmishës një sumbull argjendi të praruar (të larë në flori) në madhësine e një molle mesatare …kur dalin për të udhtuar o për të shkuar në ndonjë kuvend e lidhin kokën me një shami mëndafshi të qëndisun2”. Kjo është një e dhënë me shumë interes edhe për fisnikërinë shqiptare, dhe kjo pas dy shekujve, që vendi është pushtuar.
c) Gjithnjë në mbështetje të asaj që thamë, se abacitë ishin nën mbrojtjen dhe patronazhin e fisnikërisë vendase, këtu në Shën Pal-Kabash kemi një të dhënë me shumë interes për kontributin e Deres fisnike vendase pukiane për mirmbajtjen dhe rindertimin e kishes se Abacse e manastirit te Shen Palit, Kabash.
Ipeshkvi i Sapës Frang Bardhi na njofton: “Kështu të gjithë më premtuan me ndihmue (për rindërtimin e kishës së Shën Palit), dhe një mysliman, që më parë ishte i krishterë, bir i një të krishteri fisnik më dha 3000 aspra për të shpenzuar në ndërtimin e murit…”.3 Le të shikojmë çfarë vlere kanë 3000 aspra. 24 aspra përbenin një dukat, monedhë e florijtë që u emëtua më 1284 në Venedik, dhe 1 dukat është i barabartë me 3.559 gr. flori të pastër. 3000 aspra pjestuar për 24 = 125 dukat. 125 dukat x 3.559 gr. ar = 444.8 gram flori (ar) i pastër, pra rreth një gjysëm kilogrami ar.
Pra dhurata e Fisnikut Pukian qe tashme para pak vitesh ishte kthyer ne fene mylimane i dhuroi kishes se Abacise se Kabashit 444.8 gram flori, gati gjysme kg. Kjo eshte e dhene edhe per fuqine ekonomike e trashegonin fisniket por dhe per traditen e perkushtimin ndaj objekteve te kultit dhe kultures vendase.
E filluam me këto të dhëna për të treguar se për zhvillimin kulturor baza ekonomike nuk mungonte në Shën Pal-Kabash, përkundrazi ne nga mungesa dokumentare njohim fare pak të dhëna dhe këto për përiudhën kur Abacia dhe fisnikëria vendase po rrënoheshin njëkohësisht.
Po të hidhemi në dy-tre shekuj më parë se kjo date me ketë të dhene, faktet e dokumentuara janë me shume interes, (megjithse thamë që nga këto njohim shumë pak). Historiani kroat, njohës i mesjetës Milan Shuflai na tregon: ”…Më në jug, në një zonë krejtësisht shqiptare…nga kjo krahinë që nga shekulli XIV dilnin priftërnjë për krejt Dalmacinë Jugore e veçanërisht për Raguzën nga Abacia e Shën Palit (S. Paulus Palatensis) dhe Shën Mrija de Trafandina, de Nderfandina…”4
Kjo e dhënë e cila faktohet edhe me të dhënat e arkivit të dhomës së noterisë së Raguzëz5, tregon, se në Shën Pal ka qenë një kolegj teologjik (shkolle) me mësues të ditur dhe bibliotekë të pasur, për të cilën ne sot nuk kemi të dhëna të drejtpërdrejta. Por që kjo e dhënë tregon për shkëlqimin arsimor e kulturor të Shën Palit nuk lë asnjë dyshim. Meqense jemi tek tekstet e shkruara le të sjellim një fakt për një bir të Kabashit, i cili megjithse nuk banon këtu, indirekt tregon për interesin për dorshkrimet në këtë qender të rendësishme të kulturës shqiptare në mesjetë.
Në vitin 1404 në Dubrovnik Dom Mat Gazulli me origjine nga Kabashi, ish prift i Barballushit me shërbim në Dubrovnik, bleu për 60 dukatë një bibël, dorshkrim ish pronë e kryepeshkopit të Tivarit. Dokumenti që ruhet në arkivin e këtij qyteti6 në fondin “Liber dotium” na shpalos: “Unë dom Nikoll Laçi …po dëshmoi në emër të kryepeshkopit (të Tivarit) Marini dhe me porosi, që më ka dhënë me gojë, i shita, i dorzova dhe i dhashë në dorë të thanunit Dom Mat Gazullit, që është i pranishëm, që po e blen dhe po e merr në duar të veta një dorshkrim të biblës …të lidhur me kapakë të mbuluar me kadife. Në këtë dorshkrim është shkruar…Dhjata e vjetër dhe e re me perjashtim të psalmeve të Davidit. Aty janë shkruar gjithashtu të tjera shpjegime fjalësh. Dhe po i jepet me të gjitha të shkruarat e tjera, që janë në atë dorshkrim dhe bashkë me shenjat dhe zbukurimet. Dhe kjo që u dha me çmim dhe me titull çmimi prej 60 dukatesh ar, të cilat i mora…”. Në akt shitje shënohet si dëshmitar dhe Dom Leka (Aleksi) prej Shën Palit të Pultit-Kabash etj.
Nga ky akt njihemi me tre çeshtje:
a) Nga Shën Pali ka djem të tij, që interesohen dhe blejnë dorshkrime me “shenja dhe zbukurime”, të cilat janë minjatura artistike, që sot dhe ahera çmohen si vlera dhe vepra të rralla artistike dhe këto blihen nga fondi i një arkipeshkvie, që ka qenë e njohur për gjithë Shqipërinë dhe Dalmacinë mesjetare e më vonë.
b) Kjo është një e dhënë me interes jo vetëm për Shën Palin e Kabashit, por dhe për kulturën kombëtare. Saktësimi se: “Aty janë shkruar gjithashtu shpjegime fjalësh: ”…ac etiam in eo scripta sunt exspositiones vocabullurum et cum onibos…”. çkuptim kanë fjalët që përfshihen në këtë fjalor (shpjegues fjalësh)? Mendja të shkon tek një fjalor të shqipes, shumë të nevojshem për këta priftërinjë në atë kohë. Vetë teksti nuk e përcakton, por lë te kuptohet se nuk është fjala për shpjegime terminologjie që lidhet me biblën. Gjithsesi kjo tregon, se ishin të pranishëm në mjedisin ku u formuan priftërinjët e Shën Palit dorshkrime të disiplinave shkollore humane, laike. Këtë e kemi të faktuar edhe me njohjen e formimit të intelektualit kabashas, që u dallua në universitetet e Italisë, Gjon Gazullin, për të cilin nuk do flasim këtu, por theksojmë, se është formuar në fëmijëri në këtë mjedis.
c) Ky dokument na fakton, se në Dubrovnik nuk është nga Kabashi vetëm Mat Gazulli, por njëkohsisht më te aty është dhe Dom Leka (Aleksi) dhe dom Nikoll Laçi. Këto bij të kësaj treve të Pukës kanë fuqi blerëse, d.m.th. janë të pasur dhe blejnë dorshkrime me vlera arti dhe të dijes, dhe me çmime të rënda për kohën.
Ky dokument ishte i vitit 1404 dhe na njohu me dy priftërinjë me dije dhe me interesa edhe laike, të cilët janë formuar në këtë qender fetare e kulturore.
Po kush kanë qenë petagogët e tyre. Asnjërin nuk e njohim saktësishtë, por dimë nga një dokument i vitit 1367, se nga Kabashi, është një Nikolla, (nuk ja dimë mbiemrin), që ka studiuar në Raguzë. Po japim të gjithë dokumentin të botuar në Acta et Diplomata7.
Kontratë midis një prindi dhe një mësusi.
“Magister Johani (Gjoni), Doktor në gramatikë, deklaron, se premton dhe detyrohet kundrejt priftit Andre (Ndre) i Shën Palit nga Pulti (Polati) se do ta mësojë nipin e tij, Nikollën të lexojë dhe të shkruaj mirë sipas mënyrës tregëtare, dhe do ti mësoj atij Donatin dhe Katonin, që të dijë ti përkthejë. Dhe për këtë arsye i përmenduri prift i premtoi ati, se do ti jepte 20 perpera, dhe vetë ky magister rrëfen, se prej atyre perperave, kishte marrë 5 perpera dhe 5 të tjerë Andrea ja premtoi, se do t’i a japë atij porsa të kthehet nga Roma. Dhe tepricën deri në pagesën e plotë do ta shlyente gjatë kohës, që ky magister do të mësonte nxënësin e vet. Në vitin 1368, më 6 qershor”.
Dimë që tekstet e Donatit dhe të Katonit ishin tekste që përdoreshin në mësimin e gramatikës, jo ishte metodika mbi të cilën bazohej gjith arsimi shkollor në Europë. Këto tekste ishin edhe në themel të moralit dhe të filozofisë shkollore, dhe kryesorja këtu kemi përgaditjen e një kuadri të gjuhës dhe filozofisë klasike, që tregon për frymën humanitare nga po drejtoheshin dijet në këtë vater, pa mohuar teologjinë, që ishte ideologjia dhe themeli bazë.
Nuk duhet të lëmë pa vëmendje dhe një aspekt që na njeh kjo kontratë: “…të shkruaj mirë sipas mënyrës tregëtare…”. Mësonte Nikolla prej Kabashi gramatikë sipas moralit dhe praktikimit të kohës, por edhe në mënyrë tregëtare, kjo na kujton, ato dokumente të shkëputura tregëtare që na janë ruajtur. Nga shekulli XIII na ruhet një aktmarrveshje në pergamenë (lëkurë) e cila përmban një kontratë tregëtare të Gjin Kabashit8, dhe po në këtë hulli kemi dhe kontratën e e vitit 1445 qe Medon Kryeziut për konçensione me qytetin italian të Kazenës9.
Nuk njohim as stolisjen artistike murore të manastirit dhe as të kishës abaciale, ku përkrah duhet të ketë qenë edhe selia e Abatit me bibliotekën dhe arkivin e domosdoshëm. Por na kanë ardhur, si gur i një mozaiku disa të dhëna për vepra artistike me vlera të larta dhe çmime të kushtueshme.
Frang Bardhi na njofton se: “Ajo kishë ka qenë shumë e pasur dhe kjo provohet nga një pjesë e bishtit të mitrës të Abatit e paisur më gurë të çmushem”10.
Por ajo që tregon për paisjet me vlerë të lartë artistike dhe shumë të çmuara, na vjen po nga Frang Bardhi11: “Pasurinë e kësaj Abacie e dëshmojnë edhe fragmentet e një kryqi argjendi i larë në flori dhe shumë i kushtueshëm, i paisur në të katër anët me katër gurë diamanti shumë të kulluar (të pastër) e të mëdhenjë sa një kokërr arrë, e dhjetë diamant të vegjël të vendosur përrreth…”. Ky kryq i përshkruar këtu është i dëshiruar sot nga çdo muze e katedrale në botë.
Nga: Gazeta “Koha e Jone”, me 9 prill 2006.