Lulzim Basha: – Kurrë koalicion me PS. Edi Rama do të shkojë para drejtësisë.

01/10/2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri mbrëmjen e sotme paralajmërimin e fortë ndaj Edi Ramës, duke garantuar se pas zgjedhjeve të 25 prillit atë e pret përballja me drejtësinë, ku do të japë llogari për çdo krim dhe korrupsion që i ka shkaktuar këtij vendi.

Basha deklaroi se Edi Rama do të dërgohet për ndjekje penale pas zgjedhjeve të 25 prillit. Në një intervistë Lulzim Basha u shpreh se dosjet e kryeministrit janë gati dhe nuk ka asnjë shans që ai t’i shpëtojë përballjes me institucionet e drejtësisë.

Basha gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë “shans që PD dhe ai të bëjë koalicion me Edi Ramën”.

“Dosjet e Edi Ramës janë gati. Edi Rama do të shkojë për ndjekje penale dhe sa më takon mua, nesër si kryeministër ai do të marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia.

Pas 25 prillit, kam vetëm një mesazh: E pret drejtësia. Atë dhe një grusht njerëzish që i kanë pirë gjakun vendit.

Nuk ka koalicion me të keqen, nuk ka bashkëqeverisje me të keqen. Po nuk larguam të keqen me votë, nuk ka ndryshim.

Në emrin tim personal, të PD dhe të Opozitës së Bashkuar, nuk ka dhe nuk do ketë bashkëqeverisje me Ramën. Edi Rama do të shkojë para drejtësisë.

Rama nuk ka shpëtim, është i pashpresë, vetëm po anuloi datën e zgjedhjeve. Është i pashpresë për arsyen e thjeshtë dhe të vetme: për dy mandatet e shkatërrimit të ekonomisë dhe institucioneve, për dy mandatet e premtimeve të pambajtura”, tha Basha.

Ky është paralajmërim i fortë i liderit demokrat, pra se Rama do ta çojë para drejtësisë dhe se nuk do të bashkëqeveris me të.

Gazeta Koha e Jone