“Lufta për detin”, Egjipti dhe Greqia bashkojnë ushtritë kundër Turqisë

23 NËNTOR 2020

Greqia dhe Egjipti i përgjigjen Turqisë, duke organizuar një stërvitje të përbashkët ushtarake. Mediat greke po i bëjnë jehonë stërvitjes së përbashkët të cilësuar si Meduza, duke e cilësuar si një përgjigje e fortë ndaj asaj që e cilësojnë si një provokim turk.

Stërvitja ushtarake e koduar “Meduza” fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej gjatë verës, por u shty për shkak të koronavirusit. “Sidoqoftë, ajo që do të organizohet brenda vitit 2020, me gjithë shpërthimin e vazhdueshëm të pandemisë, e bën të qartë shqetësimin që ekziston kundër çdo lëvizje të paparashikueshme nga Presidenti turk, Tajip Erdogan, që do t’i vinte zjarrin Mesdheut Lindor”, shkruajnë mediat greke.

Stërvitja ushtarake në shkallë të gjerë thuhet se u konfirmua gjatë takimit të fundit që Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi kishte me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë, ku ata diskutuan një qasje të përbashkët ndaj atyre që kërcënojnë paqen në rajon, me sa duket do të thotë Turqia .

Greqia dhe Egjipti firmosën një marrëveshje për delimitimin e ujërave detarë dhe ky pakt acaroi së tepërmi Ankaranë, e cila bëri të ditur se nuk e njihte këtë marrëveshje. Ndërsa qeveria turke dhe presidenti Erdogan morën vendimin për kërkime për naftë në detin Egje.

Që prej dy muajsh tensionet mes dy shteteve, Greqisë dhe Turqisë kanë qenë tejet të larta.

Gazeta Shqip