Lufta për aksionet e Aeroportit të Vlorës zbret në kantier, bllokohen punimet, ja si pazaret e fshehta të Belinda…

19 Maji 2026
Konflikti mes aksionarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka dalë tashmë nga sallat e gjyqit dhe është zhvendosur drejtpërdrejt në kantierin e punimeve, duke prodhuar përplasje fizike dhe tension mes përfaqësuesve të kompanive që operojnë në projektin strategjik të aviacionit. Një situatë e tensionuar u regjistrua mëngjesin e djeshëm në ambientet e aeroportit, ku përfaqësues dhe punonjës të lidhur me njërën nga palët në konflikt kanë penguar hyrjen në kantier të përfaqësuesve dhe stafit të kompanisë tjetër, duke mos i lejuar të vijojnë aktivitetin në zonën e punimeve.
Në qendër të konfliktit qëndron përplasja mes biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili zotëron 98% të aksioneve të kompanisë koncesionare, dhe Valon Ademi, që mban 2% të aksioneve. Sipas informacioneve, përfaqësues të kompanisë së lidhur me Ademin nuk kanë lejuar hyrjen në kantier të përfaqësuesve të Pacollit, duke pretenduar se aktiviteti i tyre në aeroport është i paautorizuar.
Nga ana tjetër, pala e Pacollit argumenton se ka të drejtë ligjore dhe kontraktuale për të ushtruar aktivitetin dhe për të vijuar punimet në projekt. Përplasja vjen në një moment kur konflikti mes dy aksionarëve po zhvillohet paralelisht në gjykata, ndërsa tensionet duket se po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në terren. Burime pranë palëve bëjnë me dije se situata ka degraduar deri në konfrontime fizike dhe përplasje verbale mes punonjësve dhe përfaqësuesve të kompanive. Ndërkohë, biznesmeni Pacolli ka paralajmëruar se çështja mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, duke ngritur alarmin për një konflikt me pasoja potenciale jo vetëm financiare, por edhe për ecurinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit.
Prapaskenat
Në dukje, ngërçet ligjore dhe pretendimet e palëve mund të ngjajnë të komplikuara, por me pak vëmendje kuptohet qartë se cili është ndikimi i fuqishëm në prapaskenë; se kush është dora që në njërën anë ka paralizuar projektin përmes gjykatave, ndërsa në anën tjetër luan me opinionin publik duke përdorur mediat, me synimin për ta gllabëruar thuajse gjysmën e investimit. Kujtojmë se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit vazhdojnë të marrin në pyetje biznesmenët që rezultojnë përfitues nga tenderat e rrugëve të Belinda Ballukut.
Një prej këtyre operacioneve u krye në banesën dhe zyrën e Arbër Abazit, biznesmen shumë i afërt me ish/zv.kryeministren përmes lidhjeve të ngushta familjare, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së saj. Kontrollet në banesën e Arbër Abazit lidhen me hetimin e tenderave të loteve të Unazës së Madhe të Tiranës. Emri i tij ka dalë në hetimin e procedurave për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, ku fitues është shpallur bashkimi i kompanive “Alko-Impex General Construction&2T’ sh.p.k. Kompania e tij është Alko-Impex General Construcion dhe Arbër Abazi përveç se është familjar i Belinda Ballukut, si bashkëjetues me vajzën e saj të tezes, njihet në Tiranë edhe si nip i ish-deputetit të Partisë Socialiste Sadri Abazi.
Por ajo që tërheq vëmendjen është se kompania e tij ‘Alko-Impex General Construction’ është degë e kompanisë me të njëjtin emër e regjistruar në Kosovë, ku zotërohet nga shtetasi kosovar Imer Ademi. Të dy këta biznesmenë, Imer Ademi dhe Arbër Abazi kontrollojnë edhe shoqërinë koncesionare ‘Kukur Hydro Energy’. Këtu Arbër Abazi është regjistruar si administrator. Me pak fjalë, se Abazi dhe Ademi, së bashku kanë krijuar një lidhje të ngushtë në biznes, një ortakëri që rezulton të sjellë fitime nga fondet shtetërore përmes tenderave që tashmë po hetohen intensivisht nga SPAK. Vetëm se historia nuk mbyllet këtu.
Për shumëkënd emri i Ymer Ademit nuk do të thotë asgjë, pasi ai është një personazh me profil të ulët publik, por ai është edhe babai i Valon Ademit, aksionerit më të vogël të aeroportit të Vlorës, që po mban të bllokuar investimin me pretendimet e tij për të kaluar nga 2% në 49% të investimit dhe që ka vënë në lëvizje jo vetëm gjykatat dhe mediat pranë qeverisë. Lidhja Valon Ademi-Arbër Abazi-Belinda Balluku është edhe arsyeja se përse po mbahet i bllokuar aeroporti i Vlorës, por i jep edhe një shpjegim angazhimit të gjykatave dhe mediave në këtë çështje.
I prekur nga qasja e Belinda Ballukut në raport me atë vetë ka qenë edhe biznesmeni i MABCO, Behgjet Pacollli, gjë që e ka shprehur në emisionin Opinion. Gjithashtu sipas një letre zyrtare të dërguar ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku në atë kohë drejtohej nga Belinda Balluku, si edhe kryeministrit Edi Rama, Pacolli denoncoi se është përjashtuar në mënyrë arbitrare nga një mbledhje zyrtare e thirrur nga vetë Ministria e Infrastrukturës në kantierin e aeroportit. Nuk do shumë për të dalë në përfundimin se ky rrjet njerëzish me lidhjet e tyre që tashmë po hetohen nga SPAK qëndrojnë në prapaskenë të presioneve që bëhen për të bllokuar aeroportin e Vlorës dhe që shkojnë përtej një biznesmeni si Valon Ademi.
Hetimet e SPAK
Në limitet kohore të parashkrimit të veprës penale siç është ajo e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike”, gjatë muajit Mars 2026, SPAK ka thirrur në prokurori disa zyrtarë të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës, duke i komunikuar akuzën penale për këtë aferë. Bëhet fjalë për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Ministrisë, të cilët sipas SPAK gjatë dhjetorit 2019 deri në muajin Mars 2021, kanë kryer veprime që krijojnë bindje për konsumimin e veprës penale të “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike”.
