Ligji që kaloi pa zhurmë në Kuvend: – Si do të bëhet ndarja e Shqipërisë në 4 rajone zhvillimi

6 gusht  2020

Në seancën e datës 29 korrik, mes 13 akteve që u kaluan në Kuvend (11 projektligje dhe 2 akte normative), deputetët ngritën kartonët jeshilë edhe për ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

81 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim mori ky ligj që javën e shkuar, kur i gjithë debati politik ishte përqendruar në ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe që për këtë arsye kaloi në qetësi dhe pa shumë debat politik.

Ligji në fjalë, me gjithë mungesën e debatit politik, normon një fushë shumë të rëndësishme në veprimtarinë e vendit, duke e ndarë Shqipërinë në 4 rajone zhvillimi.

Kriteret e ndarjes

Në relacionin shoqërues të ligjit thuhet se ligji është vijim i reformës administrative që u ndërmor në vitin 2014 dhe se pritet që të nxisë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve e zhvillimit territorial, si dhe synon një zhvillim të balancuar. Me këtë qëllim, kriteret që janë përdorur për të ndarë vendin në 4 rajone zhvillimi janë ekonomikë, të nxitjes së prodhimeve vendase.

“Ligji synon të përcaktojë instrumente për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në Republikën e Shqipërisë, duke siguruar nxitjen e zhvillimit të balancuar ekonomik, shoqëror e kulturor rajonal, të sigurojë që autoritetet politikëbërëse të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre planifikuese për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të rajoneve, të sigurojë harmonizimin e strategjive sektoriale në një politikë të përbashkët zhvillimore rajonale, duke e mbështetur atë edhe me buxhetin përkatës”, thuhet në relacionin shoqërues të ligjit.

Ndërsa në nenin 4, pikën 3 të ligjit theksohen kriteret mbi të cilat bëhet ndarja e një rajoni. “Rajonet e zhvillimit përcaktohen si njësi territoriale, që përfshijnë disa njësi të vetëqeverisjes vendore, duke konsideruar: a) vendndodhjen dhe pozicionin gjeografik të tyre; b) karakteristikat e zhvillimit socio-ekonomik; c) numrin e popullsisë; ç) perspektivën e zhvillimit ekonomik”, thuhet në ligj.

Synimet

Hartimi dhe më pas miratimi i këtij ligji nga maxhoranca me mbështetjen e opozitës parlamentare është ngritur mbi tri shtylla kryesore synimesh, siç janë: ndalimi i shpopullimit, ulja e papunësisë te të rinjtë dhe zvogëlimi i pabarazive.

“Shoqëria dhe territori shqiptar kanë pësuar ndryshime rrënjësore në tri dekadat e fundit. Migrimi i brendshëm nga zonat rurale në ato urbane ka çuar në shpopullimin e vazhdueshëm të zonave rurale. Ndalimi i shpopullimit të zonave rurale dhe emigracionit është prioritet politik i legjitimuar, për shkak të projeksioneve demografike aktuale të pafavorshme dhe si shkak i nevojës për të ruajtur identitetin rajonal të Shqipërisë edhe në zonat më të thella të vendit, si dhe shmangien apo zvogëlimin e pabarazive territoriale. Një prioritet i dytë, i lidhur ngushtësisht me të parin, është nevoja për të luftuar papunësinë, në veçanti te të rinjtë. E ardhmja e të rinjve duhet të jetë në Shqipëri, në rajonet e tyre të lindjes, por që të nxitet kjo, zhvillimi socio-ekonomik duhet të mundësojë një cilësi më të lartë arsimimi, si dhe një ristrukturim rajonal të punësimit nga sektori parësor te sektorët e tjerë të ekonomisë. Prioriteti i tretë dhe më i rëndësishëm është se zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë ka nevojë për t’u mbështetur një model fleksibël të zhvillimit socioekonomik, që mbart paradigmën aktuale të konkurrencës p.sh. strategjinë e specializimit smart (të zgjuar), sipas së cilës, secili rajon është i rëndësishëm dhe qasja e zhvillimit rajonal dhe kohezionit nxit rritjen ekonomike nëpërmjet zvogëlimit të pabarazive. Prioritetet e mësipërme nuk mund të zbatohen me të njëjtat mjete dhe intensitet ndërhyrjeje në të gjitha zonat e Shqipërisë. Prandaj, qasja e politikës rajonale është e nevojshme si politikë e orientuar kundrejt të gjitha rajoneve dhe territoreve të Shqipërisë, duke qenë se përqendrohet mbi potencialet e tyre dhe përdor mundësitë dhe aty ku është e nevojshme ofron burime të jashtme për të zbutur hendeqet e zhvillimit”, citohet në relacion, shkruan Panorama.

Sipas selisë blu, Edi Rama po merr çdo pushtet në duart e tij.

“Fondet e BE-së centralizohen në një dorë, pushteti lokal dobësohet, shërbimet largohen nga qytetarët,” deklaroi ish-deputetja Dhurata Çupi.

j.l./ dita