12 Dhjetor 2025

Kuvendi ka miratuar projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme” me 76 vota pro dhe 22 kundër. Sipas paketës së re, të gjithë qytetarët që do të rivlerësojnë pronat e tyre do të përfshihen në një tatim 5%.

Opozita kërkoi që për familjet kjo normë të ishte vetëm 2%, por ministri i Financave theksoi gjatë seancës se ulja nuk është e mundur, pasi për herë të parë do të njihet amortizimi apo vjetërsia e banesave, element që sipas tij justifikon nivelin 5% të tatimit.

Gjithashtu, shumica rrëzoi amendamentet e deputetit Erion Braçe, i cili propozonte një normë tatimore 3% për zonat jo-rezidenciale, si edhe përfshirjen në përfitime të banesave që ndodhen në proces legalizimi ose regjistrimi.

Sipas ligjit të ri, nga janari deri në dhjetor 2026 do të zhvillohet një fushatë kombëtare për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Tatimi do të jetë 5% mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe asaj të shitjes, ndryshe nga sistemi aktual që parashikon tatim 15% në momentin e transaksionit.

Kjo normë, e cila aplikohet njësoj për individët dhe bizneset, konsiderohet si më e larta e vendosur ndonjëherë për procesin e rivlerësimit të pasurive.