Kush po e përçan dhe po ia humbet durimin Kosovës

Fatos LUBONJA
6 Prill 2026
Nga Fatos Lubonja
Këtej nga Shqipëria, veçanërisht ne që jemi opozitarë ndaj regjimit autokratik e të kriminalizuar të Edi Ramës, i përmendim shpesh do tregues pozitivë në Kosovë që na japin shpresë se mund të ketë edhe një mundësi tjetër zhvillimi për shqiptarët.
Së fundi kemi diskutuar edhe vlerësimet që mori Kosova nga dy organizata ndërkombëtare sipas të cilave niveli i demokracisë dhe i lumturisë dolën shumë më lart se Shqipëria. Personalisht kam bindjen se këto vlerësime mbështeten në një realitet shumë më pozitiv se ai i Shqipërisë veçse kam shtuar një “por” me argumentin se nuk e dimë, nuk jemi të sigurt nëse ky realitet ka një bazë të qëndrueshme kulturore apo jemi në një fazë, si ajo e viteve 2000 në Shqipëri, kur pati një farë ekuilibri forcash midis palëve konfliktuese derisa u vendos sundimi i njërës palë mbi tjetrën në nivele poshtërimi dhe tentative për eliminim. Dhe kjo pasi nuk ka ndryshuar baza mbi të cilën zhvillohet jeta social-politike e vendit: kultura e dominimit.
Kush ka lexuar titullin dhe paragrafin e mësipërm do të mendojë se, duke u nisur nga paraliza institucionale që shkaktuan partitë kosovare gjatë vitit të kaluar e që këtë vit po çon përsëri në zgjedhje të parakohshme, po dua të shkruaj për zhvillimet politike në Kosovë për të vënë në dukje se ka shenja të një konfliktualteti serioz në shoqërinë kosovare që mund të çojë ose në humbje durimi (mos durim thuhet në Kosovë) ose në triumfin, si në Shqipëri, të kulturës së dominimit, që nënkupton triumfin e përçarjes, gënjeshtrës, manipulimit, kontrollimit.
Në fakt kjo është tema e shkrimit por kësaj here u nxita ta trajtoj duke u nisur nga lajmi që u përhap këtej dhe andej kufirit sipas të cilin “përçarja” dhe “mos durimi” nuk po i atribuohen partive politike, por studiuesit dhe intelektualit Shkëlzen Gashi. Sipas këtij lajmi Prokuroria Speciale e Kosovës paska urdhëruar bastisjen e shtëpisë së tij, duke i sekuestruar me këtë rast kompjuterin dhe celularin, pasi e ka marrë të pandehur për krimin e “dëmtimit dhe ndryshimit të së vërtetën së luftës çlirimtare të Kosovës” që e ka çuar shoqërinë kosovare në “përçarje” dhe “humbje durimi”. Ky akt i prokurorisë u shoqërua edhe me një demonstrate kundër tij në të cilin ai u etiketua tradhtar dhe u kërkua të nxirret jashtë Kosovës. Kjo stuhi linçuese ka lindur nga një ekspozitë që Shkëlzeni ka hapur mbi krimet serbe në Kosovë ku, sipas ankimimeve të disa familjarëve, numri i viktimave të krimeve serbe rezulton i zvogëluar nga Gashi veçanërisht në trajtimin e masakrës në burgun e Dubravkës. (Ve në dukje se paradoksalisht kjo ekspozitë është sponsorizuar nga komisioni i Parlamentit me aprovimin e të gjitha partive me përjashtim të Listës Serbe.)
Mesa kujtova dhe rikujtova duke hulumtuar mbi çfarë ka ndodhur në këtë burg, çështja e përcaktimit të viktimave është tejet e debatuar sepse aty veç të tjerash ka bombarduar edhe NATO e kështu serbët japin të tjera shifra, Human Rights Watch bazuar mbi rrëfime dëshmitarësh shqiptarë jep të tjera, një OJQ si ajo e Natasha Kandiç ka dhënë të tjera. Gashi, mesa kuptova, i është referuar një liste të mëhershme të organizatës së Kandiçit ku numri i viktimave del më i vogël pasi ndër shqiptarët e vrarë (106 persona) 58 janë konsideruar civilë dhe 48 figurojnë si “oružane formacije”, pjesëtarë të formacioneve të armatosura që më vonë janë karakterizuar si “vojnik” (ushtarë). Shkëndija e sulmit është ndezur nga ndjeshmëria e familjarëve të atyre që nuk i kanë gjetur të afërmit e tyre në listën e viktimave – që gjithsesi figurojnë në listat e luftëtarëve të vrarë, çka nga një anë u bën edhe më shumë nder. Por përsëri mendoj se kjo ndjeshmëri e familjarëve mund të jetë e drejtë, pasi në burg ata nuk kanë qenë të armatosur. Megjithatë, thënë kjo, stuhia e ngritur – sikur Gashi të jetë një negacionist apo një tradhtar në shërbim të Serbisë dhe veçanërisht akti i Prokurorisë – janë një reagim tejet i shproporcionuar, që mban erë manipulim në emër interesash politike dhe që do të thoja se i shkakton një dëm të madh shoqërisë kosovare pikërisht përsa i përket të vërtetës së Luftës dhe përçarjes e mos durimit në emër të saj. Dhe ç‘është më e keqja ky linçim flet shumë edhe për llojin e shtetit që rrezikon të ndërtohet në Kosovë.
Për të argumentuar këtë le të ndaloj pak në togfjalësha të tilla si: “Të ndryshosh të vërtetën”, “Të shkaktosh përçarje”, “Të shkaktosh mos durim”, që më duken tejet problematike kur i shoh të artikuluar në gjuhën penale.
Pikëpyetja e parë që ngrihet është: a paska përcaktuar shteti kosovar një të vërtetë zyrtare mbi luftën e Kosovës? Nga aq sa di unë jo dhe më duket tejet e rëndë të bëhet një gjë e tillë në një vend demokratik, madje deri në atë pikë sa memoria apo historia të bëhen norma juridike. Aq më tepër duke pasur parasysh se Lufta ka qenë dhe vazhdon të jetë një objekt kundërshtish jo vetëm për faktin se në shtetin e Kosovës ka edhe serbë dhe etni të tjera që, siç e dimë, nuk kanë të njëjtin përjetim dhe interpretim mbi Luftën, por edhe për atë se brenda vetë shqiptarëve nuk ka përjetime dhe interpretime të njëjta. Mjaft të kesh parasysh gjyqin e Hagës që po zhvillohet ku, mesa e kam ndjekur, del qartë se tjetër interpretim për disa vrasje kanë ish luftëtarë apo komandantë të UÇK-së dhe familjarë të tyre e tjetër ata të Lidhjes Demokratike.
Ne në Shqipëri e dimë shumë mirë se çdo të thotë të ndërtosh një rrëfim të vetëm (dhe heroik) të Luftës. E kanë bërë këtë komunistët shqiptarë pas mbarimit të luftës Nacional-Çlirimtare duke e kthyer atë në një nga mitet themeltare të pushtetit të tyre. Pasojat, siç dihet, kanë qenë dramatike jo vetëm pasi ky mit u shfrytëzua për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe vendosur diktaturën, por edhe pse kultura që e ka pjellë atë vazhdon të dominojë edhe sot si mënyrë e ndërtimit të raportit të pushtetarit me tjetrin. Kjo pasi nën sipërfaqen e të vërtetës që iu imponua të gjithëve vazhdoi të gjalloje trauma e papërpunuar – d.m.th. e pa integruar në mënyrë kritike në ndërgjegjen kolektive – e luftës civile të viteve 1943-1944. Nëse në Shqipëri sot ekziston një konfliktualitet dhe polarizim shkatërrues, një prirje për dominim të më të fortit nëpërmjet manipulimit, imponimit të gënjeshtrës deri përdorimit të drejtësisë rrënjët e kësaj të keqeje nuk mund të kuptohen pa analizuar edhe pasojat e mos përpunimit të asaj traume që ka mbetur e papërpunuar edhe sot.
Duke u kthyer tek Kosova sot do të thoja se nëse shoqëria kosovare aspiron demokracinë dhe shtetin e së drejtës duhet të ketë parasysh se historia na mëson se tragjedia, në formën e luftës apo diktaturës, fillon kur palët e identifikojnë veten me të vërtetën dhe kërkojnë t’ia imponojnë atë të gjithëve me çdo mjet; se për ta evituar këtë duhet që të vërtetën ta kërkojmë (jo ta imponojmë) nëpërmjet ballafaqimit të përjetimeve dhe interpretimeve të të gjitha palëve për çka më e rëndësishme se e vërteta është liria e të gjitha këtyre palëve dhe barazia përpara ligjit.
Nga sa e njoh veprën dhe kontributin e Shkëlzen Gashit, veçanërisht veprën e tij mbi 83 masakrat e ndodhura në Kosovë për të cilën Noel Malcolm thotë se është shkruar “me një qetësi objektive dhe përkushtim të imtësishëm ndaj provave” – duke i njohur edhe meritën se ndonëse shumica dërrmuese e viktimave janë shqiptarë Gashi “nuk i anashkalon kombësitë e tjera” – mendoj se, për të arritur çfarë thashë më sipër, shoqëria kosovare ka shumë nevojë t’i ruajë, respektojë dhe dëgjojë studiues intelektualë si ai dhe jo t’i linçojë duke i akuzuar si tradhtarë dhe përçarës.
