28 Dhjetor 2025

Sot, përballë Teatrit ‘Petro Marko’, qytetarët e Vlorës kanë zhvilluar një protestë masive për mungesën e ujit të pijshëm. Për tre ditë me radhë, qyteti ka mbetur pa furnizim të rregullt, ndërsa qytetarët janë detyruar të shkojnë tek burimet publike për të marrë ujë, përballë radhëve të gjata dhe situatave ekstreme ku disa kanë mbushur ujë të kripur ose ujë deti për përdorim personal.

Në orët e para të mëngjesit pati një ndërhyrje për riparimin e tubacionit kryesor, por përsëri u shfaq një çarje që la qytetin pa furnizim. Qytetarët, të armatosur me bidona, bllokuan hyrjen e teatrit dhe nuk lejuan mbajtjen e mbrëmjes “Gala”, duke argumentuar se nuk mund të festohet kur qyteti është pa ujë të pijshëm.

Deklaratat e qytetarëve:

“Kemi hedhur gjakun këtu, gjithë shtëpia pa ujë në 2023-shin. Ky është skandal! Nuk ka më ku shkon keq!,” tha një qytetar.
“Meqë qytetarët e Vlorës lihen pa ujë dhe banda e hajdutëve feston, kërkojmë që kryetarja e bashkisë dhe Belinda Balluku me hajdutët e saj të dalë dhe të na sqarojë se kur do vijë uji. Vlora po shkon drejt një epidemie,” shtoi një tjetër.

Gazetari Genti Këllçiu raportoi drejtpërdrejt nga vendngjarja, duke treguar kaosin dhe pakënaqësinë e qytetarëve, ndërkohë që kërkesa kryesore është zgjidhja e menjëhershme e furnizimit me ujë të pijshëm.

Qytetarët kërkojnë përgjigje të qartë dhe konkrete nga kryetarja Bruna Mersini dhe zyrtarët përkatës, duke paralajmëruar se mungesa e ujit mund të çojë qytetin drejt një krize shëndetësore. Protesta thekson pamundësinë e institucioneve lokale për të garantuar shërbimet bazë dhe rëndësinë e ndërhyrjes urgjente.