
“Kujtesa e Mesdheut- Nga antikiteti në kohët moderne”, ekspozitë që prezanton më shumë se 700 vepra origjinale
21 Qershor 2025
Nga Juljana Vrapi
Libra, dorëshkrime, harta, gravura të viteve 1300-1800 vijnë të ekspozuara në Bibliotekën Kombëtare. Ekspozita “Kujtesa e Mesdheut- Nga antikiteti në kohët moderne” prezanton më shumë se 700 vepra origjinale, duke përfshirë libra, dorëshkrime, harta dhe gravura të prodhuara dhe të shtypura midis shekujve XIV dhe XIX, të gjitha pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. “Kujtesa e Mesdheut- Nga antikiteti në kohët moderne” është e ndarë në disa seksione të kuruara, ku secili prej tyre në Bibliotekën Kombëtare nxjerr në pah aspektet kryesore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Mesdheut.
Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, nëndrejtoresha e bibliotekës Majlinda Toçi, diplomatë, studiues, historianë e personalitete të fushave të interesit. Ministri Blendi Gonxhja shprehet se kjo ekspozitë është një ftesë për të reflektuar mbi vendin e Shqipërisë në historinë e Mesdheut. “Kjo ekspozitë, me ndarjen e saj tematike të kujdesshme dhe thellësinë kulturore që ofron, është një kontribut i vyer në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë dokumentare. Një ftesë për të reflektuar mbi vendin e Shqipërisë në historinë e Mesdheut dhe për të rigjetur lidhjet tona me Lindjen, Perëndimin dhe vetveten”, shprehet ministri Gonxhja. Ekspozita “Kujtesa e Mesdheut- Nga antikiteti në kohët moderne” në Bibliotekën Kombëtare u çel në kuadër të shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.
Përmbajtja e ekspozitës
Ekspozita është e strukturuar në disa seksione, ku antikiteti greko-romak paraqet disa nga botimet më të hershme evropiane të autorëve klasikë grekë dhe latinë, të botuara midis shekujve 15 dhe 17. Autorët e veçuar përfshijnë Homerin, Aristofani, Aristoteli, Herodoti, Demosteni, Euripidi, Euklidi, Straboni, Theophrastus, DiodorusSiculus, Ptolemeu, Ciceroni, Plini Plaku, Apiani i Aleksandrisë, Plutarku dhe të tjerë. Trashëgimia Bizantine: Ky seksion paraqet një përzgjedhje të veprave të rëndësishme bizantine që përbëjnë një gur themeli të zotërimeve të dorëshkrimeve dhe librave të Bibliotekës Kombëtare. Koleksioni venecian: Duke mbuluar periudhën midis shekujve 15 dhe 18, ky seksion pasqyron rolin jetik të Venecias si qendër e kulturës evropiane të Rilindjes.
Ai përfshin vepra të rralla dhe të vlefshme të botuara nga printerë dhe botues të njohur venecianë, si: Paolo Manuzio, Bernardino Benali dhe Girolamo Albrizzi etj. Një pjesë e rëndësishme është ajo që i kushtohet Orientit në përgjithësi, botës arabe, Egjiptit, me theks të veçantë Perandorisë Osmane. Seksione tematike: “Vetëm Një Zot”- kushtuar besimeve monoteiste që formësuan peizazhin shpirtëror dhe kulturor të Mesdheut. “Gjeografë dhe Udhëtarë”- me vepra të disa prej udhëtarëve dhe hartografëve më të njohur europianë të shekujve XVI dhe XVII. Ekspozita mbyllet me një seksion të dedikuar të fokusuar në detet Adriatik dhe Jon. Ekspozita në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 korrik. Kjo ekspozitë është në vijim dhe të atyre më parë, që janë pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të Bibliotekës Kombëtare.