Gazmand Bardhi

Kriza në PD, Bardhi-Bashës: Jemi në “gjendje lufte”, tërheqja juaj dhe e Sali Berishës mund të bashkojë demokratët

12 Mars 2022

Numri dy i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD një zgjidhje që bën bashkë demokratët.

Kjo zgjidhje sipas tij vjen me tërheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha gjithashtu.

Gazment Bardhi: Të gjejmë një zgjidhje që bën bashkë demokratët. Por vendimi për Berishën nuk zhbëhet dot. Vlerësoj qëndrimin e Bashës për tu vënë në dispozicion të zgjidhjes. Vendimin e 9 shtatorit e mbështes sa të kem frymë jo për shkak të karriges së askujt, por se besoj edhe sot se është rruga e vetme për të fituar.

Për shkak të atij vendimi partisë iu shpall luftë. Jemi në gjendje lufte dhe po e dëmton PD në sytë e opinionit publik. Për të ndalur gërryerjen e partisë, e vlerësoj qëndrimin tuaj për t’u vendosur në dispozicion të grupit dhe kryesisë për të gjetur një zgjidhje. Një hap pas i juaji që merr me vete edhe Sali Berishën, i hap rrugën një procesi bashkimi është shansi vetëm për t’i dhënë mundësi PD. Ne nuk mund të improvizojmë.

Sepse rrezikojme të copëzohemi akoma më shumë. Këtu jemi pak. Edhe me ata jashtë jemi pak. Pra na duhet të dimë tani hapin a, b dhe c. Mundësinë për të fituar demokratëve në 2023 ia japim duke parë interesin e PD. Hap pas pa bërë kthim pas, sepse kështu nuk shkojmë askund. Na duhet të gjejmë një zgjidhje të plotë, jo të pjesshme.

Ajo që propozon Dashi duhet të marrë dhe miratimin e palës tjetër. Na duhet një zgjidhje që qetëson demokratët, se jemi në gjendje lufte dhe qe i bën bashkë demokratët. Pra, vendimi për Sali Berishën nuk mund të zhbëhet. Ketu kemi qenë të gjithe dhe e kemi mbështetur. Tërheqja juaj dhe e Sali Berishës mund të përbashkojë, dhe mund të jap një shans për zgjidhje. Zgjidhja duhet të jetë e plotë, afatgjatë. Është një rruge për t’u testuar për të sjellë demokratët në pushtet.

Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka propozuar që kryetari aktual, Lulzim Basha të tërhiqet nga drejtimi i partisë dhe të krijohet një grup i posaçëm që të negociojë me Foltoren, por pa Sali Berishën.

Nga OraNews