Kontrabanda shkakton furtunë arrestimesh në drejtorinë kufitare të Kukës, 32 policë mes tyre drejtori në hetim

8 Prill 2022

Furtunë në pikën kufitare që lidhin Kosovën me Shqipërinë. Një operacion i përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë për arrestimin e zyrtarëve policorë të dyshuar për marrje rryshfeti dhe keqpërdorim pozite është ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

SPAK njofton se 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie janë arrestuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur 34 masa  sigurie, nga të cilët 32 janë policë.

Arrest në burg për 17 persona (punonjës policie)

Arrest në shtëpi, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie)

Pezullim nga detyra, 3 persona (punonjës policie)

Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” informon policia e Kosovës.

Mediat kosovare informojnë se po arrestohen zyrtarë policorë në pikën kufitare në Vërmicë.

Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.

Nga OraNews