Kompleksi memorial “Adem Jashari” hapet edhe për vizita virtuale

5 Nentor 2022

Nga Gazeta Koha, Prishtine

Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz tashmë mund të vizitohet edhe virtualisht duke filluar që nga pamjet më gjithëpërfshirëse të pozicionit të objekteve e deri te detajet nëpër dhomat e hapësirat e tjera brenda shtëpisë e odës së familjes Jashari.

Projekti i zbatuar nga Alban Kasumi dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës e sjell vizitorin virtual edhe më pranë monumenteve për ta shpërfaqur jo vetëm ngjarjen e lavdishme, por edhe heroizmin në luftën ndaj pushtuesit serb. Pamjet virtuale të kompleksit mundësojnë versionin tjetër të atij fizik, si dhe depërtimin më të gjerë të historisë kosovare nëpërmjet projektit “Digjitalizimi i Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ – Konservimi Digjital VR 360”.

Në pamjet që vijnë sikur në lëvizje jepen ato të shtegut që zgjatet deri në pikat e vrojtimit. Ato të odës projektojnë muret gjysmë të zhveshura, dyshemenë prej dërrasave të çara me kulmin e djegur e të shkatërruar. Pikërisht pamjet e këtyre të fundit bien më së shumti në sy, bashkë me muret e mbuluara prej hirit të dërrasave të djegura sipër dhomave, fasadën e shprishur, ‘vorbull’ e së cilës është vetëm dyshemeja, si krejt çfarë ka mbetur brenda mureve të objekteve. Ka kohë që është ngritur alarmi se Kompleksi po rrezikohet përditë e më shumë përderisa të kahershme janë edhe zotimet se shteti do të merret me restaurimin në tërësi të Kompleksit.

Pamjet në 360 shkallë e lejojnë vizitorin të shohë jo më pak se çfarë sheh edhe me praninë fizike. Imazhet janë shkrepur në ditë me diell dhe i bëjnë të dukshme detajet dhe shenjat e shkatërrimit të mureve nga granatimet që ishin bërë për tri ditë në fillim të marsit të 1998-s.

Kompleksi memorial “Adem Jashari” hapet edhe për vizita virtuale

“Ne këtë projekt janë paraqitur shumica e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ në formatin 360 shkallë, si dhe përshkrime të artefakteve në muze”, ka shkruar Alban Kasumi, realizues i pamjeve digjitale të Kompleksit “Adem Jashari”.

Opsionet për të ofruar dhe larguar imazhin japin mundësinë për të parë në detaje artefaktet e ruajtura të familjes Jashari në korniza xhami, por edhe hapësirën në përgjithësi. Në njërin ballë të Muzeut të Kompleksit jepen edhe kryeartikujt e gazetave ditore që kishin raportuar me rastin e sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari e rënies së tyre. 11 pamje nga kënde të ndryshme të hapësirës së jashtme jepen edhe nga varrezat e të vrarëve.

“Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ tani mund të vizitohet edhe në formë virtuale. Kjo është bërë e mundur përmes realizimit të projektit – Digjitalizimi i Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ – Konservimi Digjital VR 360, që është zbatuar nga Alban Kasumi, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, derisa bëhet e ditur se projekti është realizuar edhe në bashkëpunim të ngushtë me familjen Jashari, si dhe stafin e Muzeut të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

Sapo hapen pamjet digjitale, në anën e majtë mbeten të ngjitura opsionet për të zgjedhur pamjet. Nga pika e vrojtimit jepen tri pamje, të tjera jepen edhe nga oda, dhoma e Adem, Hamëz e Shaban Jasharit, nga ajo e Zahide Geci-Jasharit, Rifat Jasharit, nënkulmi, varrezat e muzeu. Të gjitha pamjet e Kompleksit janë të paraqitura në formatin interaktiv/virtual ‘Tour360’.

Një shëtitje e tillë virtuale ishte mundësuar edhe në muzeun e qytetit të Mitrovicës në fillim të muajit prill, këtë vit, si promovim i vlerave dhe mundësi për të depërtuar ato më gjerë.

Kompleksi “Adem Jashari” u ndërtua për nder të dëshmorëve të rënë në rezistencën e Jasharëve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998. Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars ’98, ra heroikisht komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, dhe familja e tij, datë që edhe shënon ditën e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik, mbyll një kapitull të dhimbshëm të shqiptarëve të Kosovës dhe fillon një etapë të re. Ajo përkujtohet si beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve dhe që u bë frymëzim për luftën e UÇK-së.