Komisioni i Venecias: Pezullimi ose zëvendësimi i kryetarëve të bashkive shkel autonominë vendore dhe vullnetin e zgjedhësve

30 Tetor 2025
Komisioni i Venecias ka publikuar raportin e tij mbi ndikimin e paraburgimit paraprak të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes demokratike vendore dhe zëvendësimin e tyre me të emëruar nga qendra, duke theksuar se praktika të tilla cenojnë autonominë vendore dhe vullnetin e zgjedhësve.
“Pezullimi ose përfundimi i mandatit të kryetarëve të bashkive për shkak të ndalimit apo paraburgimit të tyre prek thelbin e autonomisë vendore dhe shkel parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore”, thuhet në raport.
Raporti kritikon çdo ndërhyrje të qeverisë qendrore që zëvendëson kryetarët e zgjedhur, duke theksuar se kjo duhet të jetë një masë jashtëzakonshme, e bazuar në ligj dhe me garanci të plota procedurale, për të shmangur politizimin dhe arbitraritetin.
“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra, praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore”, shkruhet ndër të tjera në raport.
Raporti nënvizon gjithashtu se paraburgimi apo pezullimi i kryetarëve të zgjedhur ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mbi liritë demokratike, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë. Komisioni thekson: “Demokracia vendore mund të mbijetojë vetëm nëse përfaqësuesit e zgjedhur janë të lirë të ushtrojnë mandatin e tyre dhe vullneti i zgjedhësve respektohet plotësisht.”
Ekspertët theksojnë se praktikat e tilla mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet dhe të minojnë vetë demokracinë vendore.
