30 Tetor 2025

Autoriteti Federal i Aviacionit të SHBA-së (FAA) njoftoi se po regjistrohen vonesa të shumta në aeroportin kombëtar “Ronald Reagan” të Uashingtonit dhe në aeroportin ndërkombëtar të Dallas Fort Worth, për shkak të mungesës së kontrollorëve të trafikut ajror, pasi bllokimi (shutdown) i qeverisë federale ka hyrë në ditën e 30-të.

Sipas të dhënave zyrtare, vonestat mesatare arrijnë në 91 minuta në aeroportin Reagan dhe 21 minuta në Dallas, ndërsa probleme të ngjashme priten edhe në Orlando.

Në ditët e fundit, dhjetëra mijëra fluturime janë anuluar ose shtyrë, për shkak të mungesës së stafit dhe kushteve të këqija atmosferike që kanë goditur verilindjen e SHBA-së.

Më shumë se 13 mijë kontrollorë ajrorë dhe 50 mijë punonjës të Agjencisë së Sigurisë së Transportit (TSA) po punojnë pa pagesë, për shkak të bllokimit të fondeve qeveritare.

Ministri amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se 44% e vonesave të së dielës dhe 24% e atyre të së hënës u shkaktuan nga mungesa e kontrollorëve ajrorë – një shifër që, para fillimit të krizës, nuk i kalonte 5%.

Aktualisht, FAA ka rreth 3,500 kontrollorë më pak se niveli i synuar, ndërsa shumë punonjës kanë qenë të detyruar të bëjnë orë shtesë dhe të punojnë gjashtë ditë në javë, edhe para fillimit të “shutdown”-it.