Vali Bizhga

Kandidate për presidente? – Kush është Valentina Bizhga, u përmend nga Berisha si e “preferuara” e Ramës për postin e kreut të shtetit

22 Prill 2022

Vali Bizhga është emri që sipas ish-kryeministrit Sali Berisha është përfolur si një nga emrat që kreu i qeverisë Edi Rama do të vendosë në postin e presidentit, teksa ironizoi procesin e propozimeve me zarfa sekrete.

Ai mori postin e drejtoreshës së kabinetit të Këshillit të Ministrave në vitin 2013. Ajo u prezantua nga kreu i qeverisë Edi Rama si një prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që në kohën kur ai mbante postin e kryebashkiakut të Tiranës.

“Është kënaqësi dhe nder t’ju prezantoj drejtoren e kabinetit tim në Kryeministri, Vali Bizhgën. Me Valin kemi punuar krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës, ku kam pasur privilegjin ta kem zëvendësen time dhe më pas drejtore të kabinetit të kryetarit të Bashkisë. Por kemi ndarë së bashku edhe përpjekjet dhe emocionet e disa fushatave, ku Vali ka luajtur prapa kuintave rolin kyç të drejtorit ekzekutiv të fushatës.

Një betejë më e rëndësishme për të, ajo me një kancer të shfaqur befas në formë agresive, e shkëputi lidhjen tonë të punës, për aq sa kohë iu desh Valit ta fitonte betejën më të vështirë të jetës së vet.

Tashmë, ajo është rikthyer në fushën e kahershme të përpjekjes sonë të përbashkët për të bërë punë të mira për vendin e njerëzit, e do të mbulojë me profesionalizmin, pastërtinë dhe përkushtimin e saj të posaçëm në komunikimin me njerëzit, një detyrë ku pa asnjë dyshim do vendosë një standard të ri”, shkruante Rama.

Çfarë tha Berisha sot

Berisha u shpreh në konferencën për gazetarët se Edi Rama ka zgjedhur procedurën më mafioze për emrin e presidentit ndërsa theksoi se dy të tretat e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës.

Edi Rama ka zgjedhur procedurat më mafioze të emrave në zarfa sekretë. Cili ka dalë emri më i përfolur. Jua them unë. Sipas statistikave të Edi Ramës dy të treta e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës”, deklaroi Berisha.

Gazeta Panorama