Punonjësit serbë udhëzohen të dalin në barrikada

 1 Gusht 2022; Ora: 07:43. 
Gazeta Bota Sot, Prishtine.

Bllokimi i rrugëve në fshatin Zupç, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak, që lidh Kosovën dhe Serbinë.

Punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë të sistemit serb në Kosovë, janë udhëzuar që të dalin në barrikada në veriu.

Policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm është e qetë.

Por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.

Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, në mëngjesin e 1 gushtit janë parë mesazhe lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkruhet në pankartat dhe banerët e vendosur në qytet, teksa situata në këtë komunë raportohet të jetë e qetë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më 30 korrik paralajmëroi se serbët në Kosovë do të nisnin formimin e Asociacionit, nëse Prishtina nuk tërhiqet nga vendimet për targat dhe dokumentet identifikuese.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit më 2013 dhe 2015, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.

Gjykata Kushtetuese më 2015 tha se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën, por ato mund të harmonizohen përmes akteve ligjore nga Qeveria e Kosovës.

Serbia insiston në formimin e Asociacionit, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Pse po protestojne Serbet?

Serbët lokalë po kundërshtojnë dy vendimet e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se do të pajisë me dokumente të hyrje-daljeve të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për qytetarët e Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës. Këto targa lëshohen nga Serbia dhe Kosova i konsideron ilegale.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa sikurse KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj), e të tjera.

Por, pas tensionimit të situatës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u takua me krerët institucionalë të Kosovës, duke iu kërkuar që të shtyjnë për një muaj zbatimin e këtyre vendimeve.

Qeveria u pajtua se do të shtyjë zbatimin deri në shtator, por shtyrja do të aplikohet nga momenti kur të hiqen barrikadat.