Janë unike në Europë, por pa mbrojtje: – Policia kap 4 persona duke gërmuar në Varret Ilire të Selcës

14 Dhjetor 2025
Policia e Korçës ka kapur në flagrancë 4 të rinj duke hapur gropa në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme në Mokër.
Të rinjtë janë kapur nga inspektori i policisë së zonës, i cili ishte njoftuar në rrugë operative nga banorët e fshatit, që kishin parë të rinj me detonatorë metalesh duke gërmuar në pjesën anësore të territorit arkeologjik.
Kjo është hera e parë që policia kap në flagrancë persona që gërmojnë për të gjetur metale apo objekte arkeologjike me vlerë në varret Ilire.
Ndërkohë, tre gërmime të tjera të paligjshme janë konstatuar gjatë një harku kohor prej 2-3 muajsh, por autorët e tyre nuk janë identifikuar.
Varret Ilire të Selcës, që i përkasin fundit të shekullit IV para Krishtit, janë unike për nga lloji i tyre në të gjithë Evropën.
Ato janë shpallur zonë A arkeologjike, por hyrja e personave që kërkojnë objekte arkeologjike është tepër e lehtë, pasi zona nuk është e rrethuar nga ministria përkatëse.
Me ndërtimin e rrugës së re Qukës-Qafë Plloçë, që kalon shumë pranë tyre, personat që kërkojnë ar kanë edhe më shumë lehtësi për t’u futur në zonë duke bërë që Varrezat Ilire të Selcës të jenë pre e gjahtarëve të thesareve.
Pse konsiderohen unike
Varret ilire të Selcës janë konsideruar unike në Europë. Ato nuk janë të vetmet varre ilire në kontinent, pra kjo nuk do të thotë që nuk ka varre të tjera ilire apo iliro-dainike. Por mënyra e ndërtimit të tyre është jashtëzakonisht e veçantë dhe rrallë e hasur.
Ç’është unike në to? Varret e Selcës së Poshtme janë monumentale, të gdhendura direkt në shkëmb dhe kanë struktura komplekse. Disa prej tyre përmbajnë antechambre, dhoma funerare dhe fasada me kolona, gjë që rrallë shihet në varre ilire në mbarë Europën.
Kjo i ka bërë arkeologët dhe ekspertët të vlerësojnë se këto varre janë të veçanta për nga koncepti dhe zbatimi arkitektonik.
Këto varre datojnë nga shekulli IV-III para Krishtit dhe lidhen me qytetin e lashtë ilir të Pelionit, që tregon jo vetëm zakone funerare, por edhe nivelin kulturor, politik dhe ekonomik të Ilirëve në atë zonë.
