Ismail Kadare: – Sunduesit shpirtërorë dhe ata tiranë. –

Nga: Fatmira Nikolli. – Radhët e gjata, e lexuesit që shtyhen para stendës së Onufrit për të marrë një autograf, e fshehin Ismail dhe Helena Kadarenë. Të ulur në tryezën e shtëpisë botuese, për të pritur publikun, ata duket se janë kthyer në shtëpinë e vet- mes librave e lexuesve. Përkrah tyre, besnik si gjithnjë, botuesi Bujar Hudhri, është eminenca gri. I ka munguar panairit Kadare këto vitet e fundit e këtë mesnëntor e sjell aty, botimi më i ri. “Kur sunduesit grinden”, merr shkak nga një bisedë telefonike, mes Stalinit dhe Pasternakut, kur pushteti i kohës kishte shtënë në burg mikun e tij poet. Ato që u thanë në atë telefonatë të papritur edhe sot pas pothuaj një shekulli, interpretohen në mënyra kundërthënëse. A e mbrojti kolegun Pasternaku? Apo e ‘la’ në baltë? Ç’domethënie pat një fjalë, a një pauzë mes frazave? Si u interpretuan ato që tha me gjysmë zëri para timbrit arrogant e shantazhues së diktatorit? Dhe në fund, fuqia e cilit kushton më shumë, shkrimtarit si sundues i shpirtit, apo diktatorit si sundues tiran?

“Sunduesit janë dy palët e librit, ata që janë sundues, që quhen tiranë, diktatorë, por, nga ana tjetër, unë sjell këtu edhe sunduesit shpirtërorë.

Këtu ka një telefonatë, është një grindje, në fakt, midis Stalinit dhe Pasternak, por aq e ngatërruar është saqë ka një shekull që nuk zbërthehet tamam lidhur me marrëdhëniet e ndërlikuara të shkrimtarit dhe sunduesit. Ky është një realitet, duhet ta pranojmë të gjithë, ky ndodh, ka ndodhur tërë jetën e do të ndodhë gjithmonë”, tha Ismail Kadare para mediave dje. Ai vuri në dukje se materialet arkivore të mbledhura ndër vite për këtë ngjarje, për të cilën versionet janë të ndryshme, e kanë bindur edhe më tepër Kadarenë, që në Shqipëri duhet hapur dosjet. “Nuk është i pamundur, është plotësisht i mundur, por ka një pengesë që duhet që të na shqetësojë të gjithëve. Pengesa jemi ne, duke nisur nga ju, nga ne, nga të tjerët”, tha ai.

 

Nga: Gazeta Shqiptare.