“Ishte mbreti i Durrësit”, Ndocaj: Dako është përgjegjës për viktimat e tërmetit

06/12/19

Sekretari i Përgjithshëm i ADK-së, Eduard Ndocaj, ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

I ftuar në studion e ‘Fax News’, Ndocaj e konsideron Dakon si përgjegjësin kryesor të vdekjeve që u shënuan në vend nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas tij, Dako duhet të mbajë përgjegjësi penale për viktimat pasi ka qenë ai i cili i ka dhënë lejet për ndërtimin e këtyre banesave.

 

 

Nga ana tjetër, Ndocaj akuzon edhe Ramën për dëmtimin e pallateve në Tiranë. Ai deklaroi se kreu i qeverisë duhet të shkojë para drejtësisë, pasi banesat e dëmtuara janë ndërtuar në kohën kur Rama ka qenë kryetar bashkie.

“Ligjet ekzistojnë, por ne kemi problem kryesor se ne nuk kemi kontroll, nuk kemi ndërtues. Ata janë të paaftë dhe të korruptuar. Ish-kryetari i bashkisë në Durrës ka 12 vjet që jep leje, ai jepte certifikatat e pronësisë, ai blinte, ai jepte hekur. Pra ishte mbreti. Por ai duhet të jetë para drejtësisë. Tani ai është vrasës, ai është një ndër njerëzit kyç dhe po mundohen të shemben pallatet sa më shpejt që të humbin edhe provat.

Kemi edhe një Don Kishot që duhet të ishte para drejtësisë sepse të gjitha lejet në Tiranë i ka dhënë ky zotëria kur ishte kryetar bashkie sepse kemi pallate të prishura dhe në Tiranë. Zoti kryeministër bashkë me zotin Dako duhet të ishin para drejtësisë. Jo të dalë të bëjë show, të tallet. Ai del dhe thotë mos na sillni ndihma, por lekë kesh. Ai del 24 orë live nëpër media”, tha ai.