22 Maji 2026

Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbi dëshminë e Mustafa Martinajt, babai të Ervis Martinajt në gjykatë.

Gazetarja është shprehur se thirrja e tij për të dëshmuar ka të bëjë me pasuritë e skuestruara ku ai ka pretenduar se rrjedhin nga burime të ligjshme.

E ftuar në një studio televizive, gazetarja Klodiana Lala u shpreh se në lidhje me zbardhjen e fatit të Ervis Martinaj dhe vrasjes së Brilant Martinajt ka kritika për autoritetet pasi sipas saj nuk kanë bërë aq sa duhet.

Gazetarja theksoi se për këtë rast kutia e pandorës është Jeton Lami. Më tej gazetarja u shpreh se ish kreu i Policisë së Shteti Gledis Nano e ka takuar Jeton Lamin në paraburgim duke pretenduar se ka mësuar të dhëna të tjera në lidhje me fatin e Ervis Martinajt.

“Nuk ishte në proces penal në gjykatë, erdhi që të dëshmonte në procesin që lidhet me sekuestrimin e pasurive, jo vetëm që janë në pronësi të tij, por dhe të Ervis Martinajt dhe personave bashkëlidhur.

Mustafa Martinaj pretendoi se pasuria është e ligjshme. Sot arriti të jepte dëshminë e tij. U përpoq të bindte gjykatën që pasuria e sekuestruar rrjedh nga burime të ligjshme.

Nuk la pa prekur dhe zhdukjen e të birit, pretendoi në gjykatë se djali i tij nuk jeton më. “Më vjen turp që nuk pyetem për vdekjen e djalit, por pyetem për rrecka dhe për beton.” Ai tha se familja e tij është persekutuar, ka pasur 23 kontrolle nga Policia e Shtetit të cilat kanë lënë përshtypjen se Ervis Martinaj mund të ishte gjallë.

Kam një kritikë në lidhje me autoritetet shqiptare, s’kanë bërë aq sa duhet për zbulimin e të vërtetës për Ervis Martinajn dhe Brilant Martinajn ende nuk është thirrur babai i Brilant Martinaj. Nuk është marrë një dëshmi e detajuar e Jeton Lamit, që mendoj se është kutia e Pandorës në atë histori. Jeton Lami para se të zhdukej Martinaj ka shkuar në familjen e tij dhe ka patur biseda me familjarët.

Kam mësuar së fundi që Gledis Nano e ka takuar Jeton Lamin në ambientet e paraburgimit, ku pretendohet se ka marrë të dhëna mbi fatin e Martinajt.

Duhet të tërhiqet dosja nga Prokuroria e Lezhës, pasi nuk mendoj se ka kapacitetin për të bërë një hetim të një natyre që lidhet me zhdukjen e Ervis Martinajt, janë 5 grupime kriminale që dyshohet se janë përfshirë në zhdukjen e tij. Familja pretendon se Martinaj nuk jeton më.

Zhdukja e tij mund të zbardhë ngjarje kriminale dhe mund të zgjidhë konflikte që janë ende të hapura”, tha gazetarja Klodiana Lala.