
Injoranca “po lind” dhe nje gjuhe tjeter ne Ballkan – “Flas dy gjuhë, shqip dhe atë të Kosovës”.
12 Tetor 2025
Miss Grand Kosovo 2025, Brikena Selmani, është bërë temë e ditës në rrjetet sociale pas një momenti që u cilësua si i pazakontë gjatë një interviste zyrtare për konkursin ndërkombëtar të bukurisë Miss Grand International 2025.
Gjatë prezantimit të saj para jurisë dhe publikut ndërkombëtar, missi, e veshur me një fustan elegant tradicional me elemente moderne, u pyet për aftësitë e saj gjuhësore. Në përgjigje, ajo u shpreh me vetëbesim se “flet gjuhën e Kosovës dhe gjuhën shqipe”, një deklaratë që menjëherë u bë virale në platforma si Instagram, TikTok dhe X (Twitter).
Në vetëm pak orë, klipi nga intervista u shpërnda me mijëra herë, duke shkaktuar një valë reagimesh të ndryshme nga publiku. Një pjesë e ndjekësve e morën me humor, duke komentuar se deklarata e Brikenës ishte thjesht një lapsus i pafajshëm, ndoshta i shkaktuar nga emocionet e garës dhe presioni i skenës ndërkombëtare.
Megjithatë, pati edhe nga ata që e kritikuan ashpër, duke e interpretuar si një mungesë njohurie për përkatësinë gjuhësore dhe kulturore të vendit. Disa përdorues në rrjete sociale kërkuan nga organizatorët e garës që të jenë më të kujdesshëm në përgatitjen e përfaqësueseve para daljeve publike.