Deputeti Arian Ndoja

21 Tetor 2026

Arian Ndoja ka komentuar protestat e muajve të fundit dhe gjuhën e përdorur ndaj protestuesve, duke theksuar se ata janë përballur me etiketime, fyerje dhe stigmatizim, në vend të dialogut.

I ftuar në një emision televiziv, Ndoja u shpreh se protesta nuk është një zhvillim i ditëve të fundit, por ka më shumë se katër muaj që vijon, jashtë partive politike. Sipas tij, protesta e studentëve përkon me nisjen e vitit të ri akademik.

Ai kritikoi komunikimin e kryeministrit ndaj protestuesve, duke argumentuar se gjuha e përdorur ka qenë linçuese dhe fyese, ndërsa kërkesat e tyre nuk janë trajtuar përmes një dialogu të mirëfilltë.

“Shqipëria e vlerësoi emisionin edhe panelin e nderuar edhe temën për arsye se opinioni publik tashmë është në një rrëmujë të madhe mendimesh, e cila vjen për shkak të informacioneve të ndryshme po edhe mënyrës se si interpretohen ato nëpër media kryesisht.

Kjo protesta nuk është vetëm e këtyre ditëve, kjo protesta ka mbi katër muaj që është në shesh, të paktën jashtë partive politike. Dhe kjo e studentëve përkon me fillimin e vitit të ri shkollor, në këndvështrimin tim si e shoh unë si qytetar. Dhe për katër muaj me radhë ne kemi parë në komunikimet e Kryeministrit të Shqipërisë, që është njëkohësisht dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një gjuhë linçuese, stigmatizuese ndaj atyre protestuesve, madje dhe sharje, fyerje të cilat nuk janë as etike.

Edhe gjatë këtyre muajve vetëm i ka sharë, i ka ofenduar dhe nuk i pranoi asnjëherë si palë, kaloi deri në ofendime. Edhe këto ditët e fundit, në vazhdimin e asaj narrative që ai ka përdorur duke i linçuar të gjithë protestuesit, edhe kategorinë e fundit të protestuesve që përkon me fillimin e vitit të ri akademik, ju e keni parë se çfarë gjuhe ka përdorur.

Kjo karrigia e vendosur sot është një simbolikë të cilën nga pikëpamja ligjore Kryeministri i Shqipërisë po dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë mund ta bëjë ditën e premte si deputet që e ka ditën e veprimtarisë parlamentare me zgjedhësit. Ndërsa si Kryeministër i Shqipërisë duhet ta bëjë me ata njerëz të cilët kanë arritur që të kenë një përfaqësi, të kenë edhe disa kërkesa, dhe duhet që gjatë këtyre pesë muajve pothuajse ta kishte bërë që më përpara nëpërmjet ftesave të hapura. Nuk mundesh dikë që e ke sharë pafundësisht, nuk ke vepruar në asnjë moment dhe i ke përdorur të gjitha mjetet represive, që ta ulësh kaq shpejt”, u shpreh Ndoja.