
Historike në Suedi, kisha “ecën” 5 kilometra larg
27 Gusht 2025
Pas tetë vitesh planifikim, një kosto prej mbi 500 milionë koronash (rreth 39 milionë paund) dhe një bekimi në orët e para të mëngjesit, një kishë në veri të Suedisë nisi të martën një udhëtim të pazakontë prej 5 kilometrash.
Kisha Kiruna Kyrka, e inauguruar në vitin 1912 dhe me peshë 672 tonë, po zhvendoset me një ritëm prej gjysmë kilometri në orë, në një operacion që pritet të zgjasë dy ditë. Lëvizja bëhet për t’i hapur rrugë zgjerimit të minierës më të madhe nëntokësore të Europës, e cila po rrezikon të përpijë qytetin.
I gjithë qyteti arktik i Kirunës, ku jetojnë mijëra banorë, është duke u zhvendosur në një operacion shumëvjeçar, pasi toka po dobësohet nga aktivitetet e minierës së hekurit të kompanisë shtetërore LKAB.
Mbi 10 mijë persona, mes tyre edhe mbreti Karl XVI Gustaf, pritet të ndjekin nga afër lëvizjen e ndërtesës ikonike prej druri të kuq, për të cilën rrugët e qytetit janë zgjeruar posaçërisht. Ngjarja po transmetohet drejtpërdrejt nga dhjetëra kamera, me titullin “Den stora kyrkflytten”, “Lëvizja e madhe e kishës”.
Kisha, e projektuar nga Gustaf Wickman, është një nga ndërtesat më të dashura të Suedisë për arkitekturën e saj, që kujton një tendë tradicionale sámi (lávvu). Të mërkurën do të mbahet edhe një shërbesë fetare e shoqëruar me muzikë dhe kafe, në përpjekje për të thyer një rekord botëror për “kafen e kishës”.
Kisha pritet të rihapet në fund të vitit të ardhshëm në vendndodhjen e re, ndërsa zhvendosja e plotë e qytetit nuk do të përfundojë para vitit 2035. Ajo është vetëm një nga 23 ndërtesat kulturore që do të shpëtohen.
Megjithatë, projekti ka hasur edhe kritika, veçanërisht nga komuniteti sámi, i cili frikësohet se fragmentimi i tokave do të dëmtojë blegtorinë e drerëve dhe mënyrën tradicionale të jetesës.
Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanisë LKAB theksojnë se kisha nuk do të kishte mundur të mbijetonte pa këtë zhvendosje.