Hambar nepotizmi dhe qokash në KLSH, nga djali i Romeo Karës, nipi i Ulsi Manjës, deri te Juar Bylykbashi, ja disa nga emrat e të punësuarve nga Arben Shehu

12 Tetor 2026
Klientelizmi, pazaret dhe nepotizmi skandaloz kanë kapluar zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku nën drejtimin e Arben Shehut ky institucion kushtetues është shndërruar në një çiflig privat për punësimin e fëmijëve të zyrtarëve, militantëve dhe klientelës pranë oborrit të pushtetit.
Ky shkrim vjen si vazhdim i ciklit të denoncimeve të bujshme që gazeta Sot po publikon këto ditë për bëmat dhe gjëmat e Arben Shehut në KLSH, dosje të cilat janë gati dhe do të dërgohen së shpejti si kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, për t’i dhënë fund kësaj paligjshmërie të ulët.
Kulmi i degradimit dhe i talljes me taksapaguesit shqiptarë arrihet te rasti skandaloz i djalit të juristit Romeo Kara. Këtë të fundit, Arben Shehu e mban si këshilltar të jashtëm për mendimet e tij filozofike, si një kokë e jurisprudencës me eksperiencë në KLSH që në kohën e Blerim Çelës. Ndërkohë, djali i tij është rekrutuar dhe paguhet si shofer në KLSH, teksa Arben Shehu thuhet se i ka dhënë fjalën se sapo të mbarojë shkollën do ta fusë menjëherë si auditues.
Pra, nën bekimin e Shehut, shoferi i radhës përgatitet të auditojë paratë e shqiptarëve, duke dëshmuar se meritokracia në këtë institucion ka vdekur përfundimisht. Por ky nuk është rasti i vetëm i kësaj shfaqjeje të shëmtuar nepotizmi, pasi siç ka denoncuar hapur edhe eksperti i IT Gent Progni gjatë daljeve të tij publike ku ka trajtuar një sërë çështjesh dhe ka ngritur akuza të forta ndaj drejtimit të KLSH-së, dyert e institucionit janë hapur gjerësisht për fisin dhe njerëzit e lidhur me politikën.
Në krye të kësaj liste të zezë familjare spikat emri i Qerim Manjas, i cili identifikohet hapur si nipi i Ulsi Manjës, duke dëshmuar se si lidhjet e gjakut me kupolën e pushtetit shërbejnë si biletë e sigurt për t’u rekrutuar në institucionet e kontrollit. Krahas këtij rasti flagrant, Arben Shehu ka mbushur zyrat e KLSH-së me emra të tjerë të skeduar për klientelizëm dhe qoka politike, ku në listën e bërë publike figurojnë Blerti Spahiu, Indrita Bidaj, Ina Sokoli, Xhoela Leka, Kristi Gaxha dhe Juar Bylykbashi.
Gazeta në vijim pritet të publikojë emra të tjerë dhe të gjitha këto fakte të abuzimit me detyrën dhe shpërndarjes së posteve si favore personale do të jenë pjesë e dosjes penale që do të shkojë drejt dyerve të SPAK-ut, për t’i kërkuar llogari Arben Shehut për çdo shkelje të ligjit dhe kthimin e KLSH-së në një han pa porta për interesat e tij dhe të pushtetarëve.
