agron duka

 29 Qershor 2022

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka ngritur shqetësimin e uljes së numrit të gjedhëve në vendin tonë, duke iu referuar shifrave të INSTAT.

Me anë të një postimi në Facebook, ai thotë se sëbashku me njerëzit, edhe lopët e dhitë janë larguar. Sipas tij, numri i gomerëve nuk ka pësuar rënie.

Duka thotë se si pasojë e uljes së numrit të gjedhëve, është ulur dhe prodhimi i qumështit.

Postimi i Agron Dukës:

Bashkë me njerëzit kanë ikur edhe lopët e dhitë. Gomerët nuk kanë pësuar rënie!

Shifrat e fundit të INSTAT tregojnë një regres sistematik të blegtorisë në Shqipëri. Një rënie e rregull, nga viti 2017 e numrit të gjedhëve, deleve, dhive… dhe brenda 5 vitesh ne kemi: 71 mijë krerë lopë më pak. 291 mijë krerë dele më pak dhe 118 mijë krerë dhi më pak.

Për pasojë një rënie sërish të rregull, vit pas viti, ka pësuar edhe prodhimi i qumështit. Rënia e interesit të fshatarëve për të mbarështuar blegtorinë dhe mungesa e fuqisë punëtore – janë shkaktarët e një regresi, që mesaduket do të vazhdojë.

Bashkë me njerëzit, nga ky vend po ikin edhe lopët. Batutat e kryeministrit Rama dhe justifikimet se dikur numri është rritur në mënyrë artificiale, janë përpjekje qesharake, për të mbuluar realitetin.

Në vend që të ti therrasë mendjes dhe të therrasë në tryezë njerëz që njohin fushën për të diskutuar se çfarë duhet bërë për të frenuar këtë rrokullisje pa ndalje, kryeministri zgjidhjen e gjen sërish tek propaganda dhe fajësimi i atyre që shkruajnë mbi këtë problem.

P.S: Vetëm gomerët kanë pësuar uljen më të vogël në numër.’

Gazeta Panorama