Gjetja e rrallë, sarkofagu romak 1,700-vjeçar zbulon thesarin e paprekur

22 Nentor 2025
Një sarkofag romak jashtëzakonisht mirë i ruajtur është zbuluar në kryeqytetin e Hungarisë, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi jetën e një gruaje të re dhe botën ku ajo jetonte para rreth 1,700 vjetësh.
Sarkofagu kishte qëndruar i paprekur nga plaçkitësit dhe i mbyllur hermetikisht për shekuj me radhë. Ai u gjet me kapakun prej guri të siguruar nga skajet metalike dhe lëngu i shkrirë i metalit. Kur arkeologët e ngritën me kujdes kapakun, zbuluan skeletin e plotë të gruas, rrethuar nga dhjetëra objekte të ndryshme.

“Veçantia e kësaj gjetjeje është se sarkofagu ishte hermetikisht i mbyllur. Nuk ishte prekur më parë, kështu që ishte i paprekur”, tha Gabriella Fényes, arkeologe.
Sarkofagu prej gëlqere u zbulua gjatë një gërmimi të madh në Óbuda, një lagje veriore e Budapestit që dikur ishte pjesë e Aquincum-it, një qytet romak i rëndësishëm në kufirin e Danubit. Sarkofagu qëndronte mes rrënojave të shtëpive të braktisura, në një zonë e cila në shekullin e 3-të u përdor si vend varrimi. Afër tij, studiuesit zbuluan një akuadukt romak dhe tetë varre më të thjeshta, por asnjë nuk ishte po aq i pasur dhe i ruajtur mirë sa ky.
Sipas zakoneve funerale romake, sarkofagu përmbante një gamë të pasur objektesh: dy enë qelqi të paprekura, figura bronzi dhe 140 monedha. Një gjilpërë kocke për flokët, një pjesë bizhuterie nga amberi dhe copëza të pëlhurës me fije ari, së bashku me madhësinë e skeletit, tregojnë se varri i përkiste një gruaje të re.
Objektet, tha Fényes, ishin “dhurata nga të afërmit për udhëtimin e përjetshëm të të ndjerës”.
“E ndanë me shumë kujdes. Duhet ta kenë dashur shumë personin që varrosën këtu,” shtoi ajo.
Antropologët po analizojnë tani mbetjet e gruas së re, çka pritet të japë më shumë të dhëna mbi moshën, shëndetin dhe origjinën e saj. Por edhe tani, vendndodhja e varrit dhe bollëku i artefakteve japin sinjale të forta mbi statusin e saj social.
“Sarkofagu dhe përmbajtja e tij e bëjnë me të vërtetë të veçantë”, tha Gergely Kostyál, specialist për periudhën romake dhe bashkë-drejtues i projektit.
“Kjo ndoshta tregon se e ndjera ishte e pasur ose me status të lartë shoqëror”.
Zbulimi është edhe më i rrallë sepse në shekullin e katërt ishte zakon të ribëheshin sarkofagë të mëparshëm, ndërsa ky duket të jetë krijuar posaçërisht për të ndjerën.
Ekskavatorët gjithashtu hoqën një shtresë balte rreth 4 centimetra të trashë nga brenda sarkofagut, e cila mund të ruajë edhe thesare të tjera. Fotot nga vendi i gërmimit treguan bizhuteri ari, një shishe dhe një kavanoz qelqi të paprekura, si dhe arkeologët duke shqyrtuar kafkën e gruas.

Për Fényes, ky zbulim nuk ka vetëm rëndësi shkencore, por është edhe një pasqyrë emocionale e dashurisë dhe përkushtimit të njerëzve të lashtë.
“U preka shumë nga kujdesi dhe shprehja e dashurisë që mundëm të shihnim”, tha ajo.
