Fotot që shqetësojnë kryeministrin. Lefter Koka në krahun e djathtë të Ramës në inceneratorin e Elbasanit (4)

Fotot që shqetësojnë kryeministrin. – Lefter Koka në krahun e djathtë të Ramës në inceneratorin e Elbasanit

Nga OraNews

16 Shkurt 2022

Ndër fotot që u shkrepën në ceremoninë e inaugurimit të inceneratorit të Elbasanit, në Prill të 2017, Lefter Koka del herë në krahun e djathtë të Edi Ramës, herë në të majtin. Por kur flet për aferën e inceneratorëve, Edi Rama përdor disa shprehje ku bie në sy përpjekja për ta spostuar ish-minitrin. Nga krahu i djathtë, Lefter Koka del pas shpinës së kryeministrit. Një spostim që bie në sy, kur kryeministri flet për abuzuesit e aferës së inceneratorëve.

“Nëse në këtë punë të mirë ka pasur edhe individë që mbrapa shpinës së qeverisë, kane abuzuar me pushtetin e tyre, për të nxjerrë përfitime të paligjshme, këtë e nxjerr hetimi dhe gjykimi i drejtësisë, jo propaganda politike apo balta mediatike!” shkruajti Rama në replika me një komentues në Facebook.

Barrën e abuzimit, kryeministri ia lë mbi supe ish-vartësit, që sot ndodhet në spitalin e burgut me akuzën se mori 3.6 milion euro ryshfet nga kompanitë e Klodian Zotos dhe Stela Gugalles. Qëllimi është që vjedhja e miliona eurove, të paraqitey si episod i izoluar, për të cilin Rama nuk di gjë dhe jo si një ndërmarrje në grup, që u krye nga e gjithë organizata.

Edhe në intervistën me Zërin e Amerikës, Rama i qëndroi të njëjtës linjë, kur foli për abuzimet si “veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale”.

Por historia e kalimit të miliona eurove drejt kompanive të inceneratorëve tregon krejt të kundërtën. Afera nuk ishte një rast i izoluar i një ministri, as një episod i veçuar me përgjegjësi individuale. Vjedhja me inceneratorët përfshiu dikastere të ndryshme nga maja e piramidës shtetërore deri në kryebashkiakë dhe drejtorë drejtorish.

A e dinte shefi i qeverisë që Lefter Koka inicioi një afere korrupsioni? Apo ministri ia punoi pas shpine kryeministrit të ngratë? Ka disa momente që tregojnë se Rama nuk ishte aq i paditur.

Momenti i parë është dokumenti me firmën e vetë Edi Ramës, që është dorëzuar në SPAK nga kallëzimi i LSI-së. Kryeministri Rama ka firmosur për lejen e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit, në funksionin që mban si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit. Në të janë edhe firmat e Lefter Kokës, edhe të Eglantina Gjermenit. Shkresa, sipas kallëzimit në SPAK, tregon se kryeministri ishte në dijeni të procedurave për ndërtimin e impiantit.

Fotot që shqetësojnë kryeministrin. Lefter Koka në krahun e djathtë të Ramës në inceneratorin e Elbasanit (4)

Momenti i dytë është shpejtësia me të cilën u vu në lëvizje qeveria në datën 16 Dhjetor të vitit 2017. Brenda një dite u depozitua oferta e pakërkuar nga një kompani anonime për inceneratorin e Elbasanit. Po atë ditë u hartua kontrata 40 faqe dhe që u firmos brenda ditës, për të marrë po brenda të njëjtës ditë mendimin e ministrive të tjera dhe për ta shpallur kompaninë fituese pa garë. Të nesërmen kryeministri ta kishte gati shkresën në tryezën e tij.

Kjo shpejtësi e rrufeshme me të cilën u lidh kontrata për kompaninë anomine që mori 21 milion euro për inceneratorin e Elbasanit është ndoshta prova më e fortë që qeveria punoi si një ansambël për të vënë në jetë aferën e korrupsionit. Dihet se vetëm kryeministri ka fuqinë për ta vënë në lëvizje në të njëjtën kohë ansamblin e ministrive.M

omenti i tretë, që implikon kryeministrin Rama është sjellja e tij, kur Lefter Koka dorëzoi mandatin e deputetit. Pak pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 25 Prillit, Koka dha një shpjegim gjysmak, sikur mbyllte një cikël, për vendimin që mori. Në një atmosferë të pashpjegueshme, kryeministri Rama e pranoi në heshtje dorëzimin e mandatit të deputetit të Durrësit dhe respektoi Kodin e Heshtjes. Pikërisht kjo heshtje e Ramës, fakti që ai nuk u distancua por ende sot ruan një qëndrim të kujdesshëm për ish-bashkëpuntorin e tij, tregon se kjo është një vepër që shkon përtej Lefter Kokës, por që duhet të mbetet tek vetëm një “kokë turku”.

Fotot që shqetësojnë kryeministrin. Lefter Koka në krahun e djathtë të Ramës në inceneratorin e Elbasanit (4)

Kreu i qeverisë gjithnjë ka refuzuar të flasë për procedurat e dhënies së koncensionit për impiantin e përpunimit të mbetjeve. Kur është pyetur Rama është përgjigjur me pyetje: “A keni parë ndonjëherë hajdut 2 metra?”

Nga: Lapsi.al