25 Dhjetor 2025

Gazetari Isa Myzyraj ka bërë një reagim, pasi presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan i dhuroi Edi Ramës një avion me vlerë 11.9 milionë dollarë. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Myzyraj ka ngritur pikëpyetje mbi marrëveshjen për avionin presidencial. Gazetari thekson se avioni nuk i është dhuruar Shqipërisë pa detyrime konkrete financiare.

Sipas Myzyraj, referuar një dokumenti zyrtar të publikuar në Fletoren Zyrtare të Turqisë, marrëveshja përfshin klauzola të qarta që ngarkojnë Shqipërinë me përgjegjësi financiare. Pra, neni 14 i dokumentit parashikon ‘sigurimin’ e avionit, duke detyruar palën shqiptare të mbajë një sigurim ndërkombëtar me mbulim minimal prej 1 miliard dollarësh amerikanë. Në fund, gazetari nënvizon se kjo nuk është vlerë simbolike, por një sigurim i tillë përkthehet në prime shumë të larta vjetore, që paguhen nga buxheti publik.

Reagimi i plotë:

Erdogan i ka bërë një dhuratë Ramës për fundvit, jo Turqia-Shqipërisë. Dhe nuk është falas, siç thonë shumica! Sipas dokumentit të botuar në fletoren zyrtare turke, neni 14 flet për ‘Sigurimin’ e avionit.

Shteti shqiptar detyrohet të mbajë sigurim ndërkombëtar me mbulim minimal 1 miliard dollarë amerikanë, një nga klauzolat më të rënda financiare të dokumentit. Kjo nuk është vlerë simbolike: një sigurim i tillë përkthehet në prime shumë të larta vjetore, që paguhen nga buxheti publik.