11 Shkurt 2023

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe e shikon korrupsionin si një problem të madh në qeverisje prej 33 vitesh dhe jo problem të qeverisë. Në një intervistë për A2CNN, Braçe tha se ky është një fenomen i qëndrueshëm i Shqipërisë për të cilin, përtej modernizimit, duhet të veprojë drejtësia. Braçe tha se ka kandidatë për deputetë e kryetarë bashkie që kurruptojnë e blejnë vota me para korrupsioni dhe janë të pandëshkueshëm.

“Korrupsioni nuk është problem i qeverisë, është problem madhor në qeverisje. Shqipëria ka një problem konstant me korrupsionin në 33 vite dhe kjo e ka bërë një fenomen të qëndrueshëm në segmente të ndryshme te qeverisjes e ka bërë edhe kulturë veçanërisht në shërbime. Drejtësia është elementi kyç për të luftuar korrupsionin përtej modernizimit. Modernizmi redukton por nuk e zhbën përfundimisht dhe nuk ka pasur askund të fundme për korrupsionin.

Kudo ka betejë me korrupsionin dhe është e rëndësishme të kalojnë në shina paralele modernizim dhe ndarje të kontaktit të nëpunësit dhe politikanit që merr vendime për ty biznesin e shërbimet e tua. Sa më shumë modernizohet kjo marrëdhënie përmes sisteme transparente e ligjore aq më shumë do të reduktohet korrupsioni. Është dhe dega tjetër ajo e ndëshkimit që duhet të funksionojë maksimalisht për të sjellë forcën e shembullit. Kur nuk ka vendimmarrje politike që ndëshkon korrupsion, duhet të funksionojë drejtësia, është domosdoshmëri.

Çfarë janë këta deputetët apo kandidatë për deputetë apo kandidatë për kryetarë bashkie që blejnë vota janë njerëz që disponojnë para në rrugë informale, korrupsioni apo shmangie fiskale tatimesh e taksash. Janë të pandëshkueshëm ata. Konkurroj unë dot me ta? Jo, asnjëherë. Unë do bëj një sforco të madhe në fushatë të shkoj nga 2-3 herë në ato fshatra për të krijuar korrelacionin me ata njerëz që ata të mos i jepen e parasë që derdhet lumë  për shkak të mos ndëshkimit nga strukturat e drejtësisë. Kjo e deformon demokracinë, mungesa e drejtësisë kundrejt parave të paligjshme e evazionit fiskal,”- shtoi Braçe.