13 Gushsht 2023

Në një shkrim në Corriere della Sera, Danilo Taino sjell në vëmendje një vëzhgim, sipas të cilit ecuria e tanishme e lëvizjeve migratore shtron çështjen e zhdukjes së disa kombeve dhe shteteve siç i njohim sot.

Janë shifrat ato që çojnë në konkluzione të tilla dramatike që vënë në pikëpyetje të gjithë gjeopolitikën globale.

Në vitin 2021, Gallup vinte në dukje se 16% e popullsisë së rritur në botë kishte dëshirë të largohej nga vendi i vet. Bëhet fjalë për 900 milionë njerëz, një shifër e jashtëzakonshme në ekuacionin migrator global.

Dëshira për të lënë vendin është rritur edhe në Amerikën e Veriut, destinacion kryesor i imigrantëve për gati dy shekuj: 15% duan të ikin. Në Australi dhe Zelandën e Re përqindja shkon në 10%, ndërkohë që në BE kjo dëshirë ka zbritur nga 20% në 17%.

Rekordin e mban Sierra Leone me 76% të popullsisë që duan të emigrojnë, 63% nga Libani, 56% nga Hondurasi, 55% nga Gaboni e me radhë.

SHBA mbetet në krye të asipratave si destinacion me 22% të njerëzve që duan të lëvizin, 8% Kanadaja dhe 7% në Gjermani. Nëse e sheh këtë prirje të matshme në kontekstin e asaj që ka sjellë emigrimi në histori, pyetja nëse disa kombe dhe shtete do të zhduken bëhet legjitime.

“Janë zhdukur markomanët, kuadët, samaritanët, alanët, vandalët dhe avarët. Janë zhdukur me gjuhët e tyre, kulturat dhe traditat. Na mungojnë vërtet ata sot?” – citohet ekonomisti në fjalë që hap kështu një diskutim të ftohtë mbi atë që shumë shoqëri e cilësojnë si katastrofë.

I ndjeri Moikom Zeqo në muajt e fundit të jetës theksonte shpesh në bisedat me kolegët e tij në DITA se nëse Shqipëria vazhdon kështu, ajo do të zhduket.

Pesimizëm i tepruar, apo realitet?