Ekspozita “Autoportret”.  Anastas Kostandini: – Ato fytyra të vetvetes tregojnë dramën dhe sakrificën krijuese

SHKRUAR NGA JULIA VRAPI

13 GUSHT 2021

Ekspozita “Autoportret” e piktorit pogradecar Anastas Kostandini u çel këto ditë vere për artdashësit. Janë punime në vite, të cilat prezantohen në studion e piktorit të njohur, dyert e së cilës janë hapur që nga data 31 korrik e vizitorët nuk kanë munguar. Hapësira e kësaj studioje, tashmë e njohur dhe e vizituar nga dashamirës në Pogradec, merr trajtën e një galerie intime ku Taso ekspozon një retrospektivë autoportretesh, të realizuara ndër 50 vite karrierë. Rast i rrallë për të vizituar këtë hapësirë, për të folur me artistin nga afër, si dhe për të parë këtë koleksion vetjak shumë të pasur nga ana teknike dhe stilistikore. Kjo open studio, synon të jetë pikënisje për një seri të ngjashme eventesh, të cilat do shpalosin pak nga pak thesaret e studios Taso. Piktori i njohur Anastas Kostandini (Taso) tregon se këto punime janë realizuar përgjatë gjithë krijimtarisë mbi 52 vjeçare. “Ekspozita është në një ambient fort të limituar hapësinor të studios time, megjithatë ajo ka karakter retrospektiv pasi paraqet ekzemplare nga vitet dhe rrethanat e ndryshme ku kam kaluar”, shprehet ai.

Anastas Kostndini

Taso tregon se ekspozita paraqet afër 50 punime relativisht të vogla në format, por jo në përmbajtje. “Ato fytyra të vetvetes tregojnë dramën dhe sakrificën krijuese, e cila bëhet në vetmi dhe jashtë interesave komerciale. Ato tregojnë shpirtin tim idealistik, por dhe atë të opozitarit ndaj vetvetes. Studimi i vetvetes është i ashpër dhe i pakorruptueshëm. Vetëportretet nuk janë bërë për tu vetëlavdëruar , apo për narcisizëm. Është një mënyrë vetëinkurajimi në vetminë krijuese”, tregon Taso.

Koleksioni i punimeve

Koleksioni i punimeve të piktorit me stil dhe ngjyra unike nuk duhet humbur në atelienë e Tasos. Piktori tregon se prej kohësh dëshironte, të publikonte ciklin me piktura dhe vizatime, të cilat qëndronin në një nga dosjet. “Këto dosje me tema të shumta, janë krijuar gjatë krijimtarisë time të gjatë e të përditshme. Zakonin për të portretuar vetveten e kam marrë, që në vitin e parë të liceut artistik. Vetvetja është një model ideal për piktorin. Është një model i disiplinuar dhe i bindur. Veç kësaj, vetvetja është nën vëzhgim studimor dhe psikologjik. Ky akt vetëpikturimi është tej i rëndësishëm pasi regjistron gjithë dyshimin, entuziazmin dhe tensionin e aktit krijues. Për këtë, autoportretet hedhin dritë deri në skutat e intimitetit shpirtëror të piktorit”, tregon Anastas Kostandini, që këto ditë pret artdashësit në studion e tij.

Anastas Kostndini

Periudha e gjatë dhe e frikshme e pandemisë vijon piktori e bëri të mendonte thellë për fatin e tij si njeri, qytetar dhe artist. “Vendosa ti ekspozoj për publikun e gjerë atje, ku përgjithësisht ato janë krijuar”, shprehet piktori. Me punët e tij në vite piktorit Anastas Kostandini i njohur me emrin e artit Taso ka përgatitur dhe një katalog. “Autoportret” përmbledh gjerësisht koleksionin e autoportreteve Taso nga viti 1968-2021. Studio e hapur do të vijojë deri në ditën e fundit të muajit gusht në Pogradec.