Edi Rama: – “Me vjen Turp qe jam Kryeministri Juaj”.

Nnga AGIM BAÇI

Kryeministrit Rama, në vend që turpërohet se nuk bëri asnjë lëvizje për të mbrojtur konsumatorët për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ashtu siç bënë gjithë qeveritë e shumë vendeve, përfshi dhe fqinjët tanë, ai po turpërohet se qytetarët i kërkojnë llogari përmes protestave. Në fakt, ai duhej të ishte turpëruar që dje bëri gangsterrin përballë biznesmenëve.

Në vend që të tregonte se si do merrte masa ligjore për të shmangur sadopak inflacionin, në vend që t’i kërkonte autoriteteve përkatëse shtetërore që të hetojnë mbi abuzimet, në vend që të mblidhte nëpunësit që paguhen për të funksionuar shteti, ai mblodhi dje biznesmenët, duke lënë të kuptohet nga gjithkush që, ai nuk e sheh veten një kryeministër por një padron, një njeri që i mendon biznesmenët si nëpunës të qeverisë.

Kjo mënyrë për të stabilizuar çmimet dhe krizën, duke bërë të fortin përballë privatëve, nuk është veçse shenja e një njeriu që nuk ka ndërtuar asgjë mbi ligje, por vetëm mbi klientelizëm, mbi njohje personale. Përndryshe, nëse nuk do i përdorte si klientë grosistët e naftës, përse dhe si do mund t’i mblidhte në zyrën e tij ata, sikur të ishin nëpunës së administratës që dalin edhe të shtunën sepse do shefi?

Ai, me kë model qeverisës që shfaq, nesër mund të mbledhë edhe grosistët e miellit, edhe shoqatën e fermerëve, edhe shoqatën e eksportuesve të energjisë, edhe tregtarët e letrës. E më pas i mbetet të mbledhë edhe shoqatën e botuesve, që të kërkojë të botojnë vetëm libra me temat dhe çmimet që dëshiron ai të kenë dhe të lexojë.

Edi Rama tregoi se shteti, për të cilin ai flet në rrjete sociale, është larg të qenurit shtet ligjor, insititucional e demokratik. Me mbledhjen e grosistëve në kryeministri ai tregoi se e sheh veten pronarin e shqiptarëve. Ndaj dhe përballë protestuesve ai është shumë i shqetësuar, sepse beson se është edhe pronar i jetës së qytetarëve të thjeshtë, të cilët ai nuk arrin t’i mendojë jashtë dëshirave të tij, jashtë vendimeve të tij.

Por, shqiptarët mjafton të kujtojnë se bordet e tij, që i ndërton vetëm pas protestave, kanë qenë gjithnjë një tallje. Mjafton të kujtojmë se si u tall me studentët. se si u tall me blegtorët e fermerët. Sepse në kokën e tij Shqipëria dhe zgjidhja e problemeve ekziston vetëm virtualisht, ndaj dhe nuk arrin të besojë se ka qeytetarë realë, që poshtë zyrës së tij i tregojnë një realitet krejt tjetër.

Ai sot, përballë protestuesve, është mbreti lakuriq që tashmë “fëmijët e zemëruar” kanë nisur t’ia thonë në sy. Atij i ka mbetur vetëm ekrani, vetëm rrjetet sociale për të këmbëngulur se është i shqetësuar për shqiptarët. Por Shqipëria nuk mund të jetojë në mënyrë dixhitale.

Të paktën protestat e fundit kanë dhënë shenjën se shqiptarët nuk duan të jetojnë virtualisht, por si njerëz që duan të kenë dinjitet, që të mos tallen nga qeveria e tyre. Ata njerëz në shesh të paktën po e tregojnë refuzimin e tyre ndaj talljes me zë të lartë!