14 Tetor 2025

Në GJKKO është zhvilluar sot, më 14 tetor, procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, lidhur me çështjen e njohur si “Sterilizimi”.

Gjatë fjalës së tij, Beqaj ka kërkuar që ministrja virtuale Diella të dëgjojë CD-të e seancave të tij.

Në seancën për dosjen “Sterilizimi”, debati mes palëve nisi lidhur me ndryshimin e akuzës nga gjyqtarja e seancës paraprake në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit kriminal”.

Ish-ministri i shëndetësisë Beqaj u ankua se procesverbalet e seancave paraprake ishin të paplota.

“Procesverbalet janë të paplota, nuk i kam marrë ende të gjitha. Unë jam në një situatë që nuk di si do të mbrohem. Procesverbalet ia kam kërkuar gjykatës së mëparshme me insistim, por nuk i kam marrë ende të gjitha, pasi nuk e kam më atë të drejtë që t’ia dërgoj asaj gjykate, sepse e ka ndarë çështjen time. Kërkoj CD-të e seancave paraprake, aty ku është bërë diskutimi i akuzës”, tha Beqaj.

Avokati i ish-ministrit theksoi se klienti i tij është në pamundësi për t’i dëgjuar: “Ku do firmosim ne?”

Beqaj u shpreh duke thënë se: “Po na duhet një ‘Diellë’, mesa duket, sepse CD-të duhet t’i marrësh kundrejt tarifës, pra i bie të blesh akuzën. Do t’i bëj kërkesë gjykatës që të më sjellë kompjuter që t’i dëgjoj, por duhet ë urdhëroni Drejtorinë e Burgjeve që të ma lejojë”.

Seanca e sotme u shty sërish për t’i dhënë kohë avokatëve të Beqajt që të bëjnë kërkesën për të marrë CD-të e seancave paraprake dhe për të përgatitur mbrojtjen e tij. Gjykata vendosi ta shtyjë seancën për në datën 30 tetor, ora 12:00.