Doracaku për Çamërinë: – Një libër i veçantë për të gjithë

– 07/12/21

Gazeta mapo

“Doracaku për Çamërinë” është libri i fundit që Nexhat Merxhushi dhe Raimonda Shundi kanë nxjerrë në dritë këto ditë festash kombëtare. Është një libër ku preken segmente kyçe të historisë çame, mbi atë çka ka ndodhur në kohë si dhe etapa të ndryshme të kësaj treve.

Çdo faqe është një kërkim më shumë; çdo fakt historik, një qartësi më shumë; çdo alibi e shoqëruar me dokumenta, referenca, fakte dhe shtjellime që vetëm dashnori i çamërisë Nexhat Merxhushi mund të na e falë. Si një 87 vjeçar aktiv në hulumtimin e dokumentave të reja, Merxhushi dhe Shundi (në cilësinë e kuratores dhe organizimit të materialit), kanë punuar për t’i dhënë lexuesit jo vetëm çam, një esencë të gjykimit të tij mbi periudhat delikate që janë lënë qëllimisht të paqarta.

Ka një mori dokumetash që dalin në dritë për të parën herë. Shumë familjarë të personaliteve të shquara shqiptare, i kanë besuar letër-këmbime private autorit, duke bërë kësisoj që lexuesi të mund të ketë privilegjin ta shoh  me sytë e tij këtë copëz historie. Është një libërth i vogël që flet sa për shumë. Është një bizhu që të nxit hulumtimin.

“Doracaku për Camërinë “ është konceptuar si një libër dore, si një paradhomë për të hyrë në bibliotekën e madhe came. Është një udhëzues, një shoqërues, një pikë takimi që çdo të interesuar do ta shoqëronte i sigurt në labirinthet e së shkuarës duke i ndezur nje dritë të re. Ky libërth ka referenca të emrave të shquar të politikës, diplomacisë dhe filozofisë. Ka gjykime mbi politikat e bëra në vend për cështjen në fjalë, ka tërheqje vëmëndjeje për atë çka është bërë gabim, keq dhe mirënjohje për ata që kanë bërë mire dhe u dhanë një shpatull të mbështeten.

Ka pika takimi dhe ndarjeje për shumë fakte të reja dhe të vjetra. Ka emra të panjohur që kanë dhënë një ndihmë të madhe për komunitetin. Ka shumë mirënjohje për ata që i qëndruan pranë në ditë të keqë dhe njëherazi dhe pak dritë se si ua morën me dhunë pjesën e shpëtuar të pasurisë pushteti i ri Komunist. Një libër i paktë në faqe, por i shumtë në fakte, emocione, dritë. Le të jetë një dorështrëngim për të gjithë ata që e duan të vërtetën dhe historinë çame.

Doracaku për Çamërinë Kopertina