Denoncimi: Do heqin edhe Bibliotekën Kombëtare nga qendra, ndaj u emërua një mashë si Pirro Misha. –

8 nentor 2019

Piro Misha u emërua pak kohë më parë drejtor i Bibliotekës Kombëtare me vendim të Këshillit të Ministrave.

68 vjeçari e mori emërimin pavarësisht se e ka mbushur me kohë moshën administrative të pensionit.

Publicisti kontrovers Kastriot Myftari e akuzon Mishën se u vendos në atë post pasi është i vetmi që ka pranuar të firmosë një plan të Ramës për heqjen  e Bibliotekës Kombëtare nga qendra e Tiranës, projekt që paraardhësja e Mishës në post nuk pranoi ta firmoste dhe dha dorëheqjen.

Në fakt ra në sy që sapo hyri në zyrën e dtejtorit Misha ngriti alarmin në media se “gjendja e BK është katastrofë, pasi nuk ka ambjente mjaftueshëm” duke i hapur rrugë kështu në publik me dinakëri vendimit qeveritar për zhvendosje me justifikimin “zgjerim i hapësirave”.

Pasi thotë që Misha ka shërbyer disa herë si mashë e pushteteve para dhe pas 90-s, Myftari shkruan ndër të tjera:

“Edi Rama po e zhvendos Bibliotekën Kombëtare nga Pallati i Kulturës, pra nga sheshi qendror i Tiranës. Do ta zhvendosë te ish-oborri i Gardës së Republikës, ku do të ngrihet ndërtesa e re e Bibliotekës. Duke qenë se ky është një tjetër projekt i llogaritur për të nxjerrë përfitime në dëm të pasurisë publike, Ramës i duhet një mashë e stërvitur për ta pranuar dhe zbatuar këtë plan”.

E ku mund të gjente ai më mirë se “masha e ndryshkur” – thotë Myftaraj për Mishën dhe shton se nëse duhet vërtet hapësirë ka mënyra aty ku është:

“Biblioteka Kombëtare mund të jetë fare mirë atje ku është sot, në njërin krah të ndërtesës së Pallatit të Kulturës duke hequr bizneset që janë futur aty me qera pa të drejtë . Ose mund të përmbyllet ndërtesa e Pallatit të Kulturës duke u ndërtuar edhe pjesa e mbrapme, që do të sjellë shtesë të madhe mjedisesh të lira. E rëndësishme është që Biblioteka Kombëtare të ketë qasje në sheshin qendror të kryeqytetit si është tani. Biblioteka Kombëtare te Garda do të jetë krejt një gjë tjetër”.

Publicisti e akuzon Piro Mishës se e mori postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare për përfitimet që do të ketë me rastin e zbatimit të projektit të zhvendosjes së saj.

“Duke e larguar Bibliotekën nga sheshi qendror prishet një simbolikë dhe dëmtohet në praktikë shërbimi që u ofrohet qytetarëve me anë të saj” – shton ai.

“Thelbi i gjithë kësaj historie është se në kohën që bota po zhvillon teknologji që do të bëjnë të mundur që të futet përmbajtja e miliarda librave në një sipërfaqe sa një kokërr arre, Edi Rama, për të vjedhur paratë publike, kërkon të ngrejë ndërtesë të re për Bibliotekën Kombëtare, kur duhet që këto para t’ i shpenzojë për digjitalizimin e fondit të librit dhe të shtypit shqip, që të bëhet lehtësisht i qasshëm për publikun” – shkruan Myftaraj.

Ai e akuzon Mishën se jo vetëm do përfitojë në këmbim të firmës, por se e ka dëshmuar veten të ulët dhe të korruptuar edhe më parë.

Misha ka denoncuar Bashkim Shehun të cilit i hiqej mik pas vdekjes së Mehmet Shehut duke u bërë shkak me dëshminë e tij për burgosjen e Bashkimit – thotë Myftaraj.

Ai akuzon gjithashtu se Misha mori financime të mëdha nga USAID për përkthimin dhe botimin e disa librave që duheshin nxjerrë në treg me çmim kostoje, por Misha i nxorri me çmim tregtar.

“Qëllimi i financimeve nga donatorët e huaj është që librat të shiten me çmimin e kostos, pa fitim, në mënyrë që lexuesit të varfër shqiptar t’ i mundësohet blerja e tyre. Por Misha i ka shitur dhe i shet librat e tij me çmim tregtar, duke nxjerrë fitime. Kështu Misha abuzon me të dy, edhe me shtetin, edhe me donatorët e huaj. Dikush mund të thotë se në rastin e parave të donatorëve të huaj, ata i shpenzojnë sit ë duan dhe ia japin kujt të duan vetë. Nuk është kështu, sepse ato para të huajt ia llogaritin shtetit shqiptar si ndihmë dhe për më tepër përjashtohen nga taksimi si dhurime. Në Shqipëri ka oligarkë vjedhës të të ardhurave publike në çdo fushë, madje edhe në fushën e botimeve, si Piro Misha” – thotë Myftaraj.

d.a. / dita